2007-06-15 18:32:34

Lindja e Mesme: Dhuna mund të zhvendoset në Çisjordani


(15.06.2007 RV)RealAudioMP3 Në Rripin e Gazës, tashmë nën kontrollin e Hamasit, nuk ka më ndeshje me armë, por frika nuk është zhdukur. Dhuna mund të zhvendoset në Çisjordani. Ndeshjet e fundit ndërmjet Al Fatahut dhe Hamasit kanë shkaktuar së paku 180 viktima, derisa presidenti palestinez Abu Mazen mori vendim të shpërndajë qeverinë dhe të shpallë zgjedhje të reja, në një datë që do të caktohet pasi të përfundojë gjendja e emergjencës në vend. Kryeministër i ri i periudhës së emergjencës do të jetë Salam Fajad, ish-ministër i Financave, politikan i pavarur, i vlerësuar nga Perëndimi e nga SHBA-të, ku ka jetuar për 20 vjet. 55 vjeç, themelues e lider i partisë “Rruga e Tretë”, ka studiuar ekonomi në universitetin Austin të Teksasit dhe ka qenë funksionar i Bankës Botërore.
Sot, kryeministri i qeverisë së shpërndarë, lideri i Hamasit Ismail Hanijeh u bëri thirrje të vetëve për të ruajtur qetësinë dhe propozoi bisedime me presidentin palestinez, pavarësisht se e quajti “të paligjshme” shkrirjen e qeverisë. Nga ana tjetër, Hamasi ka shpallur aministinë për të gjithë anëtarët e forcave të sigurisë së Al Fatahut dhe i ka ftuar të dorëzojnë armët në xhamitë më të afërta, gjë që është interpretuar si sinjal pajtimi. Por nga Çisjordania, Brigatat e martirëve Al Aksa, krahu i armatosur i Al Fatahut, u kanë bërë thirrje milicive të Hamasit të largohen nga territori brenda 48 orëve, përndryshe do të arrestohen.
Ndërkaq, presidenca gjermane e Bashkimit Evropian dënon “në mënyrën më të ashpër të mundshme” këtë lloj grushti shteti në Rripin e Gazës, mbështet të gjitha vendimet e ligjshme të presidentit të ligjshëm Abu Mazen dhe u bën thirrje të gjitha forcave t’i respektojnë ato.
Përse lëvizja fondamentaliste Hamas ka zgjedhur rrugën e luftës për t’u imponuar në realitetin palestinez? Të dëgjojmë opinionin e Ugo Trambalit, ekspert i Lindjes së Mesme për gazetën italiane “Sole 24 ore”:
Është prova se një lëvizje islamike nuk mund të integrohet në një sistem politik demokratik. Ndoshta ky është sinjali dramatik që vjen nga kriza ndërpalestineze. Edhe më tragjik është fakti se kemi dy lëvizje në luftë për një pushtet që nuk e kanë, dy lëvizje të një populli që vazhdon të mbetet i pushtuar. Është paradoksale që pas 60 vjet lufte, palestinezët duan të luftojnë sërish mes tyre për asgjë. Fatkeqësisht Hamasi dhe krejt fronti i organizatave islamike palestineze ka të infiltruar të Al Kaidës. Rrezikon të lindë një enklavë e vogël e qeverisur nga ekstremistë islamikë. Nuk mendoj se Izraeli do të rrijë duarkryq.







All the contents on this site are copyrighted ©.