2007-06-15 18:25:26

Evropa dhe SHBA mund ta shtyjnë vendimin për statusin e Kosovës


(15.06.2007 RV)Pas deklaratave të presidentit amerikan Xhorxh Bush për pavarësinë e Kosovës, gjatë vizitës në Tiranë e në Sofie, administrata amerikane tregohet më e kujdesshme dhe përpiqet për një zgjidhje në kuadrin e Këshilli të Sigurimit të OKB-së. I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Kosovën, Frank Uisner ndodhej sot në Prishtinë, ku pas takimit me liderët kosovarë, paralajmëroi një shtyrje në përcaktimin e statusit të vendit dhe mundësinë e bisedimeve të mëtejshme serbo-kosovare.
Deri tani deklarata të tilla kanë ardhur vetëm nga evropianët. Sot, Ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema, i cili gjendej në Beograd, pas vizitës së djeshme në Kosovë, deklaroi se Evropa po punon për të arritur brenda pak ditësh në një propozim të ri për rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Ai parashtroi edhe mundësinë e shtyrjes së datës, për të rifilluar bisedimet Prishtinë-Beograd, pa kompromentuar pikëmbërritjen përfundimtare, të parashikuar nga plani i Ahtisarit: pavarësinë e Kosovës. Por edhe ky propozim është hedhur poshtë nga kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, siç theksohet në një notë zyrtare të Beogradit. Koshtunica ka deklaruar se qeveria e tij po punon për të hedhur ide të reja në tryezën e bisedimeve, por ka përjashtuar çdo mundësi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Për momentin, sqaron gjithsesi ministri i jashtëm italian D’Alema, “Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk duket se mund të zbatojë planin e Ahtisarit, pasi do të shkonte drejt vetos ruse”. Ky skenar do të ishte më i keqi i mundshëm, pasi do të çonte në shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, me pasoja për marrëdhëniet ndërmjet vendeve evropiane, të cilat do të përçaheshin përsa i përket njohjes së shtetit të ri kosovar. I të njëjtit mendim edhe presidenti francez, Nikolas Sarkozì, i cili në një videokonferencë me gjeneralin francez të KFOR-it në Kosovë, theksoi se pavarësia e Kosovës është “e pashmangshme”, por duhet akoma kohë për të evituar veton e Rusisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.