2007-06-14 17:06:43

Shqetësuese gjendja në Gazë e lajme të tjera


(14.06.2007 RV)Vazhdojnë luftimet ndërmjet Hamasit dhe Al Fatahut në Rripin e Gazës. Viktimat e sotme kanë arritur shifrën 16 persona. Akoma nuk duket në horizont asnjë lloj marrëveshjeje ndërmjet fraksioneve palestineze, pavarësisht nga thirrjet e Komisionit Evropian, nëpërmjet komisares për marrëdhëniet e jashtme, Benita Ferrero-Valdner, për të ndalur dhunën e për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, pa hequr dorë nga qeveria e unitetit kombëtar.
Eksponentë të Hamasit kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të bisedojnë me Al Fatahun, ndërsa presidenti palestinez Abu Mazen, lider i Al Fatahut, i ka dhënë urdhër për herë të parë gardës presidenciale të qëllojë kundër milicëve të Hamasit.


Pesë xhami sunite janë sulmuar dhe djegur sot nga njerëz të armatosur në jug të Bagdadit, në Irak, një ditë pas sulmit të milicëve të Al Kaidës kundër xhamisë shiite të Samarrës. Ndërkaq, një grup kaedist i Irakut ka shfaqur sot në internet një video ku tregohet vrasja e 14 ushtarëve e policëve irakianë, të kapur në ditët e shkuara.
 
Kancelarja gjermane dhe presidentja e turnit e Bashkimit Evropian, Angela Merkel deklaroi sot në Bundestag se “nuk ka akoma një zgjidhje” për çështjen e kushtetutës evropiane. Vendet anëtare nuk kanë akoma një qëndrim të përbashkët, megjithëse afrohet dita e mbledhjes së 21-22 qershorit në Bruksel, ku duhet të flitet edhe për këtë problem. Franca, nëpërmjet presidentit të saj të ri, Nikolas Sarkozì po përpiqet të gjejë konsensus për një propozim mbi Kushtetutën, i cili u lë më tepër hapësirë shteteve anëtare, në krahasim me kushtetutën e mëparshme. Deri tani, Sarkozì ka mbështetjen e plotë të Spanjës, por sot gjendej në Varshavë për të diskutuar me autoritetet polake.








All the contents on this site are copyrighted ©.