2007-06-14 17:00:38

D'Alema: nuk mund të ketë sovranitet serb në Kosovë


(14.06.2007 RV)“Nuk mund të ketë sovranitet serb mbi Kosovën”: kështu tha sot ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema ndërsa përgatitej për vizitën në vend, ku shkoi në Gjakovë, Pejë e Prishtinë, para se të nisej po sot për në Beograd.
Pavarësia e Kosovës, sipas D’Alemës, është tashmë faktike dhe duhet pasur parasysh si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga Serbia. Kjo e fundit duhet të dalë nga sindroma e sëmurë e rrethimit, sipas së cilës të gjithë i duan të keqen Serbisë. Nëse Kosova bëhet e pavarur në mënyrë të njëanshme, shpjegoi ministri i jashtëm italian, kjo do t’i sillte dëm edhe Serbisë, pasi do të ishte një pavarësi pa garanci për serbët. E rëndësishme është që zgjidhja të gjendet brenda Këshillit të Sigurimit dhe të pranohet nga serbët. Për këtë mund të duhet kohë më shumë, por kjo kohë duhet shfrytëzuar në të mirë të çështjes dhe të dialogut ndërmjet palëve.
Sot, D’Alema është takuar me autoritetet e KFOR-it dhe me atë Savën në manastirin e Deçanit. Nesër, ai shkon në Beograd, ku është parashikuar vetëm një takim me drejtoreshën e Institutit italian të kulturës, Aleksandra Bestini Malgarini.


Ministri i jashtëm francez, ish-administratori i parë i Kosovës, Bernar Kushner i ka telefonuar kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku. Ai i ka nënvizuar Çekut impenjimin e Francës për një zgjidhje të shpjetë dhe të rregullt të çështjes së Kosovës, brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pritet që së shpejti në Paris të shkojë kryenegociatori për statusin, Marti Ahtisari.

Serbia do të lëshojë urdhër-arresti për vejushën e Sllobodan Millosheviçit dhe për djalin e tij, me akuzën e kontrabandës së cigareve në vitet 1990. Mirjana Markoviç dhe djali i saj Marko jetojnë si refugjatë në Rusi dhe nuk janë kthyer në Beograd as për varrimin e Sllobodan Millosheviçit, nga frika e arrestimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.