2007-06-13 17:58:45

Sot u kremtua festa e Shëna Ndout të Padovës.


(13.06.2007 RV)Kush ishte Shëna Ndou? Kur ia shqiptojmë emrin, e përfytyrojmë menjëherë me Krishtin fëmijë ndër krahë, me Ungjill, me zëmbak…I bukur, i ri, mrekullibërës, ndërmjetësues pranë Zotit për shëndet, punë, fat në jetë. Me një fjalë, shenjt i të gjithëve, për të gjitha! E kujtojmë si kandidat për meshtar augustinian, si françeskan pastaj, si studiues, shkrimtar, predikatar, teolog, por dhe misionar, pendestar i madh, udhëtar i palodhshëm, njeri që vuajti shumë… Mbi të gjitha, ai ishte njeri i uratës. E pikërisht urata dhe pendesa e ndihmuan që, në moshën 36 vjeçare, të arrinte shkallën e lartë të shenjtërisë e të bëhej pajtor i qindra mijëra njerëzve në të katër anët e Botës.
Shenjti lindi para 800 vjetëve, më 15 gusht 1195 në Lisbonë të Portugalisë, nga prindërit Martin dhe Maria Bulioni. E pagëzuan me emrin Ferdinando dhe shpresuan se do të bëhej shtylla e familjes. Por ai do të merrte tjetër drejtim në jetë e tjetër emër: Atë Anton. E me këtë emër do të vdiste më 13 qershor 1231. Aktual mesazhi i Shëna Ndout: Ai ishte njeri i madh për Hyjin, por edhe për njerëzit e varfër, madje edhe politikan i kohës së vet. Gjëja më e madhe tek Shëna Ndou ishte gatishmëria për t’i shërbyer të gjithëve pa kurrfarë interesi, për të dhuruar vetveten, për të dhënë gjithçka me dashuri të madhe, në emër të Zotit, pa pritur kurrfarë shpërblimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.