2007-06-12 17:17:12

Në një shoqëri të kërcënuar nga relativizmi, të krishterët ofrojnë modelin edukativ të Zotit, që është dashuri: këtë theksoi Papa në takimin kishtar të Romës.


(12.06.2007 RV)RealAudioMP3 Në shoqërinë e sotme, besojma e së cilës është relativizmi e edukimi i njeriut frymëzohet nga konsumizmi e nga përdhunimi i trupit e i seksualitetit, të krishterët duhet të ofrojnë modelin edukativ të Zotit, që është dashuri e që i jep kuptim jetës. Këtë theksoi mbrëmë Papa, duke hapur në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Takimin kishtar të dioqezës së Romës me temë “Jezusi është Zoti: edukimi në fe, në ndjekjen e Krishtit e në dëshmi”.
Që shoqëria në të cilën jetojmë të dalë nga kriza edukative, duke i vënë pritë mosbesimit dhe urrejtjes së çuditshme për vetveten që e karakterizon, Kisha mund të ofrojë kontributin e vet, duke e afruar tek Krishti e tek Ati qiellor brezin e ri, i cili jeton në një botë pjesërisht larg Zotit. Këtë nënvizoi Benedikti XVI dhe në vijim e përshkroi kështu realitetin e sotëm:
Në një shoqëri e në një kulturë që tepër shpesh e bëjnë relativizmin besojmën e tyre, mungon drita e së vërtetës, madje të flasësh për të vërtetën konsiderohet si diçka e rrezikshme, gjë që të shtyn të dyshosh në mirësinë e jetës e në vlerën e marrëdhënieve e të impenjimeve të saj”.
E nuk të kënaq – vijoi Papa - përpjekja për t’ia plotësuar breznive të reja dëshirën për lumturi, me sende konsumi e shpërblime kalimtare, sepse kështu lihet mënjanë qëllimi themelor i edukimit, formimi i njeriut, për ta bërë të aftë ta jetojë plotësisht jetën e të japë ndihmesën e vet edhe për të mirën e gjithë bashkësisë:
“Sot, më shumë se në të kaluarën, edukimi dhe formimi i njeriut ndikohen nga mesazhet e nga atmosfera që përhapin mjetet e mëdha të komunikimit e frymëzohen nga mendësia e kultura që karakterizohet nga relativizmi, nga konsumizmi e nga mburrja e rreme e shkatrrimtare, ose më mirë të themi, nga përdhunimi i trupit e i seksualitetit”.
Për edukimin dhe formimin e krishterë – vijoi Ati i Shenjtë - rëndësi vendimtare ka lutja e miqësia jonë personale me Jezusin, sepse vetëm ai që e njeh dhe e do Jezu Krishtin, mund t’u prijë vëllezërve drejt një lidhjeje jetike me Të. E duhet të jemi të vetëdijshëm se t’u prish fëmijëve, adoleshentëve e të rinjve në takimin me Jezusin, për të krijuar lidhje të qëndrueshme e të thella me Të, nuk varet vetëm nga forcat njerëzore:
“Nevojiten drita e hiri, që vijnë nga Hyji e që veprojnë në thellësitë e zemrave e të ndërgjegjeve”.
Ndërsa edukimi i krishterë, dmth edukimi për ta formuar jetën sipas modelit të Hyjit, që është dashuri – sqaroi Benedikti XVI – ka nevojë për atë afërsi, e cila buron pikërisht nga dashuria. Vendimtar, prandaj shoqërimi personal, që i jep fëmijës në rritje, sigurinë se e duan e se e kuptojnë, posaçërisht sot, kur shumë njerëz jetojnë në kushte izolimi e vetmie, mes zhurmave e mospërkimit me të tjerët:
“Konkretisht, kjo duhet të na bëjë ta prekim me dorë faktin se feja jonë nuk është diçka që i përket së kaluarës, se ajo mund të jetohet sot e se duke e jetuar, gjejmë realisht të mirën që kërkojmë. Kështu fëmijët e të rinjtë mund të ndihmohen për t’u çliruar nga paragjykimet e përhapura e të kuptojnë se mënyra e jetesës së krishterë është e realizueshme dhe e arsyshme, madje është mënyra më e arsyeshme”.
Detyra për të edukuar e për të formuar - shpjegoi Benedikti XVI - u takon në radhë të parë familjeve. Por kur është fjala për familje të papërgatitura ose të çinteresuara, për të mos thënë, që nuk e pranojnë edukimin e krishterë e për familje, ku ndjehen fuqimisht pasojat e krizës së shumë martesave, atëherë këto familje duhen mbështetur për edukimin e fëmijëve nga famullitë, oratoret e bashkësitë e të rinjve, që duhet t’i ndihmojnë për të rigjetur kuptimin dhe qëllimin e jetës bashkëshortore. Më pas Papa shpjegoi se marrëdhëniet edukative duhet të bazohen në lirinë e secilit e se edukimi i krishterë formon njerëz vërtetë të lirë.
Përsa u përket të rinjve, Benedikti XVI vuri në dukje se shpesh ata e ndjejnë veten të pështjelluar nga shumëllojshmëria e informacioneve e nga kontrasti i ideve dhe i i shpjegimeve që u propozohen, në sa kanë nevojë të madhe për të gjetur të vërtetën, duke qenë kështu të gatshëm për t’ia hapur zemrën Jezu Krishtit:
“Do t’i ndihmojmë kështu të rinjtë t’i zgjërojnë horizontet e inteligjencës së tyre, duke ia hapur zemrat misterit të Zotit, në të cilin gjindet kuptimi dhe drejtimi i jetës e duke kapërcyer kushtëzimet e një racionaliteti, i cili beson vetëm në atë që mund të eksperimetohet e të llogaritet”.
Rëndësi të dorës së parë në këtë drejtim – vijoi Benedikti XVI – ka dëshmia:
“Kur është fjala për të edukuar në fe, figura e dëshmitarit dhe roli i dëshmisë kanë rëndësi të dorës së parë. Dëshmitari i Krishtit nuk transmeton thjeshtë informacione, por është i lidhur personalisht me të vërtetën që propozon e, përmes koherencës së jetës, bëhet pikëmbështetje e besueshme. Gjithsesi nuk duhet harruar se dëshmitari nuk të çon te vetvetja, por tek dikush që është pambarimisht më i madh, të cilit ia ka besuar jetën e vet, duke e provuar mirësinë e Tij. Edukatori vërtetë i krishterë është dëshmitar, i cili e gjen modelin e vet tek Jezu Krishti, që është dëshmitar i Atit e që nuk thoshte asgjë nga vetvetja, por fliste ashtu si e kishte mësuar Ati qiellor”.
Papa kujtoi edhe rolin e rëndësishëm të shkollës katolike, e cila ka në qendër të planeve të saj edukative Ungjillin e që përpiqet të promovojë unitetin ndërmjet fesë, kulturës e jetës, gjë që është qëllimi kryesor i edukimit të krishterë.Së fundi Benedikti XVI i nxiti besimtarët të luten për thirrje të reja meshtarake e rregulltare, pa harruar të nënvizojë se të rinjtë, që zgjedhin rrugën e miqësisë me Jezusin, kanë nevojë për shembullin e meshtarëve e të rregulltarëve, si edhe për një ftesë delikate e plot respekt, por njëkohësisht plot qartësi e guxim për të ecur në gjurmët e Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.