Filloi vizita në Romë e kryepeshkopit të Justinianës së re dhe të Qipros, Krizostomos
II.
(12.06.2007 RV)Gjatë qëndrimit
në Romë, Fortlumturia e Tij Krizostomos II do të vizitojë katër bazilikat papnore
të Qytetit të Amshuar, Bazilikën e Shën Klementit, ku do të lutet para varrit të Shën
Çirilit si dhe Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere, ku do të marrë pjesë në lutjet
mbrëmësore me bashkësinë e Shën Egjidit. Vizita do të arrijë kulmin të shtunën e ardhshme,
më 16 qershor, kur Fortlumturia e Tij do të takohet me Benediktin XVI, takim që parashikohet
të përfundojë me një deklaratë të përbashkët. Kujtojmë se historia e Kishës së
Qipros fillon që në kohën e Apostujve e ruan të paprekur vazhdimësinë apostolike:
themelues i saj konsiderohet Shën Barnaba, që kreu dy shtegtime misionare në ishull. Por,
për rëndësinë e kësaj vizite, në mikrofonin e Radios sonë, të dëgjojmë kardinalin
Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve,
që e priti Fortlumturinë e tij Krizostomos në aeroportin romak të Fiumiçinos: Përgjigje:
- Kisha e Qipros është Kishë me trashëgimi apostolike. Është Kishë e vjetër, e
kjo është edhe gjëja më e rëndësishme. Në këtë ishull kanë predikuar Shën Pali Apostull
e më pas Shën Barnaba. Së dyti, kjo Kishë është urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit
e Kryepeshkopi i ri dëshiron të luajë rolin e ndërmjetësit për Lindjen e Perëndimin.
Prej këndej, kjo vizitë është shumë e rëndësishme për ne, duke qenë një hap i ri afrimi
me Kishat ortodokse.Pyetje: - A mund të themi se kjo vizitë, që përkon aq shumë
me frymën ekumenike të papnisë së Benediktit XVI, është premtuese edhe për të ardhmen? Përgjigje:
- Kjo sigurisht është e vërtetë. Kujtojmë se Kryepeshkopi ka qenë i pranishëm
edhe në salikimet e Gjon Palit II si dhe në fillimin e papnisë së Benediktit XVI.
Hapet kështu, sigurisht, rruga për takime të reja.