2007-06-12 17:30:56

Ahtisari në Romë: zgjidhja për Kosovën është vetëm pavarësia


(12.06.2007 RV)“Nuk shoh rrugëdalje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës”. Ai që përsërit qëndrimin e tij të pandryshuar nga koha dhe konjukturat është kryenegociatori për statusin, Marti Ahtisari, i cili foli sot në Komisionin e Jashtëm të Dhomës italiane të Deputetëve. E jo vetëm kaq, por duke komentuar diskutimet e fundit në takimin e G8-ës, theksoi se “sugjerimi për vazhdimin e negociatave nuk mund të çojë në asnjë përfundim”. Zgjatja e kohës do të sillte veç dëme.
“Koha po mbaron – tha ai – jemi gati jashtë afatit maksimal dhe Grupi i Kontaktit duhet t’i vihet seriozisht punës për të vlerësuar opcionet e ndryshme që duhen çuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”. I dërguari i Pallatit të Qelqit dha alarmin edhe për gjendjen në terren. “Në Prishtinë – theksoi Ahtisari – situata po bëhet gjithnjë e më e nxehtë. Bashkëjetesa normale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë - u shpjegoi Ahtisari parlamentarëve italianë - ka dështuar, pasi serbët e Kosovës kanë direktiva të sakta nga Beogradi për të mos marrë pjesë në strukturat institucionale dhe administrative të Kosovës”.
Edhe për këtë arsye, kryenegociatori i OKB-së nuk beson se bisedime të tjera do të sillnin ndonjë marrëveshje. “Edhe sikur Beogradi të hyjë në Bashkimin Evropian – tha ai – nuk besoj se kjo do t’i shtynte serbët ta pranonin planin”. “Zgjidhja e vetme – përsëriti ai disa herë – është që rusët t’i thonë Beogradit se tema e Kosovës është mbyllur”, dhe se nuk ekziston mundësi tjetër përveç pavarësisë, e cila parashikon “klauzola të veçanta” për mbrojtjen e pakicës serbe në Kosovë.
Përsa u përket deklaratave të presidentit amerikan Xhorxh Bush në Tiranë dhe në Sofie, ku gati u deklarua pavarësia e Kosovës, Ahtisari shprehu mendimin se ato u bënë për të qetësuar kosovarët. Mbi qëndrimin rus, kryenegociatori i OKB-së nuk pati fjalë lavdërimi. Ai e quajti të çuditshme strategjinë e Moskës për Kosovën dhe vuri në dukje se Rusia nuk ka bërë deri tani ndonjë propozim konkret, gjë që tregon dobësinë e presidentit Putin nga njëra anë, por edhe faktin se Kosova është një çështje e vogël në krahasim me çështjet e tjera urgjente, që duhen zgjidhur në botë, nga ana tjetër.
Modeli i Ahtisarit për Kosovën është ai i Namibisë në Afrikë. OKB-ja ndërhyri aty me një plan paqeje që i dha fund 30 vjet lufte indipendentiste kundër Afrikës së Jugut e në vitin 1990 çoi në shkëputjen e plotë të vendit.
Nga ana e saj, Italia mbështet plotësisht planin e Ahtisarit për Kosovën, por përsërit nevojën që zgjidhja të jetë sa më e pranueshme për të dyja palët. Ky është qëndrimi që mbajti ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema në takimin me Ahtisarin, me të cilin shyrtoi opcione të ndryshme për të kapërcyer vështirësitë që u hasën gjatë takimit të G8-ës në Gjermani. D’Alema së shpejti niset për Beograd e Prishtinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.