Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Korpit të Krishtit, Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët
ta zbulojnë në heshtje Zotin, që është pranë dhe bëri thirrje për lirimin e të rrëmbyerve.
(11.06.2007 RV)Dje,në Itali
dhe në vende të tjera të botës, Kisha kremtoi solemnitetin e Corpus Domini. Gjatë
lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përsëriti ftesën për adhurimin e Eukaristisë.
Ta adhurosh të Shenjtnueshmin Sakrament - shpjegoi Benedikti XVI – do të thotë të
gëzosh një çast heshtjeje shpirtërore, në mes të zhurmës hutuese të jetës së përditshme,
për të rizbuluar, në shoqëri me Jezusin, se Zoti është pranë. Pas lutjes së Engjëllit
të Tënzot, Ati i Shenjtë bëri një thirrje të re në favor të njerëzve të rrëmbyer në
mbarë botën, ndërmjet të cilëve, edhe disa meshtarë katolikë. E ndoqën, në Sheshin
e Shën Pjetrit, nën një diell të zjarrtë veror, më se 50 mijë shtegtarë, ardhur nga
mbarë bota. Solemniteti i Corpus Domini – nënvizoi Papa – na fton ta kundrojmë
misterin më të madh të fesë sonë: Të Shenjtnueshim Sakrament, prani reale e Jezu Krishtit
në Sakramentin e elterit. Flijimi eukaristik përtërihet sa herë që meshtari, në lutjen
e shugurimit, përsërit fjalët: “Ky është korpi im… ky është gjaku im”: “E thotë
këtë duke ia kushtuar zërin, duart e zemrën Krishtit, që deshi të rrijë me ne e të
jetë zemra e Kishës, e cila rreh e nuk pushon. Por edhe mbas Kremtimit të mistereve
hyjnore, Zoti Jezus rri, i gjallë, në Tabernakull; prandaj lumnohet posaçërisht me
adhurimin eukaristik, siç kam kujtuar në Nxitjen time apostolike pas-sinodale ‘Sacramentum
caritatis”- thaBenedikti XVI, i cili në vijim ripohoi se ekziston
një lidhje e pandashme ndërmjet kremtimit e adhurimit eukaristik. Mesha Shenjte, në
vetvete, është akti më i lartë i adhurimit në Kishë e, siç thotë Shën Agostini: “Askush
nuk e ha këtë Korp, në se nuk e ka adhuruar më parë”. Atëhere mund të themi se adhurimi
jashtë Meshe zgjat e plotëson atë që ndodh në kremtimin liturgjik, duke bërë të mundur
takimin e vërtetë e të thellë me Krishtin. Prandaj Papa i porositi barinjtë dhe të
gjithë besimtarët ta praktikojnë adhurimin eukaristik, duke u shprehur vlerësimin
e tij Instituteve të Jetës së Përkushtuar si dhe shoqatave e bashkëvëllazërive, që
i kushtohen në mënyrë të posaçme adhurimit të Krishtit në të Shenjtnueshmin Sakrament.
Në këtë mënyrë – vijoi Papa – u kujtojnë të gjithëve se Krishti është në qendër të
jetës sonë personale e kishtare: “Gëzohem, pastaj, në sa vërej se shumë të rinj
po e zbulojnë bukurinë e adhurimit, si personal ashtu edhe komunitar. I ftoj meshtarët
t’u japin zemër këtyre grupeve rinore, por edhe t’i ndjekin nga afër, në mënyrë që
format e adhurimit në bashkësi të jenë gjithnjë më të përshtatshme e dinjitoze, të
shoqëruara me çaste heshtjeje e dëgjimi të fjalës së Zotit. Në jetën e sotme, shpesh
të zhurmshme e hutuese, është e rëndësishme, më shumë se kurrë, aftësia e heshtjes
së brëndshme dhe e lutjes: adhurimi eukaristik na krijon mundësinë për ta bërë këtë
jo vetëm me vetveten, por kryesisht në shoqëri me Atë, të cilit mund t’i drejtohemi
me ‘Ti’, me Jezu Krishtin që është “Zoti pranë nesh”. Virgjëra Mari, Gruaja
eukaristike – vijoi Papa - na priftë në përpjekjen për të zbuluar të fshehtën e adhurimit
të vërtetë, me shembullin e zemrës së saj të përvujtë e të thjeshtë, gjithnjë pranë
misterit të Krishtit. “Me ndërmjetësinë e saj, u shtoftë në mbarë Kishën besimi
në misterin eukaristik, gëzimi i pjesëmarrjes në Meshën Shenjte, posaçërisht të dielën,
e zelli për ta dëshmuar dashurinë e pacak të Krishtit”.Pas lutjes së Engjëllit
të Tënzot, Papa bëri përsëri thirrje për të rrëmbyerit në mbarë botën, duke theksuar
se merr vazhdimisht kërkesa për t’u interesuar në favor të të rrëmbyerve, ndërmjet
të cilëve, edhe meshtarë katolikë: “I kam të gjithë në zemër e të gjithë janë
të pranishëm në lutjen time, duke menduar, ndërmjet rasteve të tjera, për rastin e
dhimbshëm të Kolumbisë - theksoi Papa dhe vijoi: - U bëj thirrje autorëve të
veprimeve të tilla të urryera, ta kuptojnë të keqen që kanë kryer e t’i rikthejnë
në gjirin e të dashurve të gjithë njerëzit e rrëmbyer. Ia besoj viktimat mbrojtjes
amtare të Zojës së Bekuar, Nënës të të gjithë njerëzve”.