2007-06-11 18:28:45

E befasuar Evropa nga deklarata e Bushit mbi Kosovën


(11.06.2007 RV)Sikur të mos mjaftonte deklarata e djeshme në Shqipëri që shkaktoi zhurmë në të gjitha kancelaritë botërore, sidomos evropiane, presidenti amerikan Xhorxh Bush përsëriti edhe sot, gjatë vizitës së tij në Bullgari se “Kosova duhet të jetë e pavarur”.
Presidentit bullgar, Parvanov që i kërkonte të merrej parasysh edhe qëndrimi i Serbisë, Bush iu përgjigj se “Serbia ka përpara një rrugë që e çon ndoshta në NATO, ndoshta në Bashkimin Evropian, e sigurisht drejt marrëdhënieve më të mira me SHBA-të”. Ky pra është çmimi që i jepet Beogradit nëse pranon pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se nga qeveria e Koshtunicës kanë ardhur njëra pas tjetrës, deklarata të hidhura për politikën amerikane në Kosovë. “SHBA-të nuk kanë të drejtë t’u dhurojnë shqiptarëve territore serbe” – tha sot kryeministri Vojisllav Koshtunica, i cili më pas kërcënoi: “Nëse Amerika do të injorojë të drejtën ndërkombëtare duhet ta dijë se Serbia do ta hedhë poshtë e do të konsiderojë zero çdo formë pavarësie në rajonin e saj”. Tonet e ashpra serbe gjejnë konfirmim në takimin e Koshtunicës me presidentin rus Putin në Shën Pjetërburg, ku Moska përsëriti mbështetjen e saj ndaj Beogradit.
Por, presidenti amerikan Bush nuk ndalet. Përsëri nga Bullgaria një tjetër leksion për Moskën. Ndoshta edhe Sofia do të bëhet pjesë e planit të mbrojtjes me raketa në Evropë, përveç Çekisë dhe Polonisë. Një argument tjetër për t’u diskutuar me presidentin rus Putin në takimin e korrikut, diskutim që paraqitet i vështirë pas këtyre deklaratave.
Por ç’po ndodh, ndërsa Bush fiton faqet e para të gazetave? Në Itali është takuar sot kryenegociatori për Kosovën, Marti Ahtisari me Ministrin e jashtëm italian, Masimo D’Alema. Së shpejti, D’Alema do të shkojë në Prishtinë e Beograd. Për të diskutuar… çfarë? Cili është plani B që ndoshta akoma nuk ka dalë në faqet e gazetave? Italianët janë të njohur për gjetjen e kompromiseve e Bush në Romë, kërkoi pikërisht ndërhyrjen e tyre edhe për çështjen e Kosovës. Sot, Ministri i Brendshëm italian, Xhuliano Amato, nga Brukseli ku ndodhet, u shpreh i shqetësuar për mundësinë e deklarimit të njëanshëm të pavarësisë së Kosovës, por theksoi edhe se Evropa ka një qëndrim të caktuar ndaj statusit të ardhshëm e duhet që Serbia të reflektojë mirë mbi mundësitë që i jepen.
Evropa u befasua nga deklarata e presidentit Bush mbi Kosovën, siç na shpjegon Alberto Bobbio, kryeredaktor i revistës katolike “Familja e krishterë” në Itali:
RealAudioMP3 Perspektivat janë të ndërlikuara, sepse dje në deklaratën e tij nga Shqipëria, presidenti amerikan Bush foli për pavarësinë e Kosovës. Praktikisht mund të themi se dje amerikanët e njohën pavarësinë e Kosovës e ky ngut amerikan natyrisht e tremb Evropën. Propozimi i liderit të ri francez Sarkozì, sipas meje, është një propozim inteligjent, sepse shtyrja e diskutimeve mbi Kosovën për disa muaj mund ta kishte bindur Rusinë mbi domosdoshmërinë e pavarësisë së Kosovës, një pavarësi të mbikqyrur vërtet, por dipllomacia mund të tregohej më krijuese e të gjente një mënyrë… Natyrisht, deklarata e djeshme e Bushit i ndryshoi kartat mbi tavolinë. Bashkimi Evropian mund të përçahet. Dikush do të shkojë me amerikanët, dikush me propozimin franko-italian, që thotë të presim pak e të përpiqemi ta bindim Moskën.
Sot, komisari evropian për zgjerimin, Olli Ren deklaroi se vendimi mbi statusin e Kosovës duhet të merret në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e plani i Ahtisarit duhet të jetë baza për rezolutën përfundimtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.