2007-06-11 18:30:00

Benedikti XVI - pjesëmarrësve të shkollës verore të Observatorit astronomik të Vatikanit: ‘Kisha inkurajon e promovon kërkimet shkencore’.


(11.06.2007 RV)RealAudioMP3 Me veprimtarinë e tij, Observatori i Vatikanit shpreh dëshirën e Kishës për promovimin e studimeve shkencore: këtë pohoi Papa në audiencën e sotme me pjesëmarrësit e sesionit XI të shkollës verore të Observatorit vatikanas, që nisi sot në Kastel Gandolfo. Shkollën, që do të zgjasë një muaj – shpjegoi drejtori i saj, ati jezuit Hosè Funes, do ta ndjekin 26 shkencëtarë të rinj, nga 22 vende të ndryshme të botës, 14 prej të cilëve, nga vendet në rrugë zhvillimi.
“Që nga themelimi i saj më 1891 – pohoi Benedikti XVI – Observatori vatikanas shprehu dëshirën e Kishës për të filluar, për të inkurajuar e për t’i çuar më tej studimet shkencore, me bindjen se feja e arsyeja janë dy krahë, që e ndihmojnë njeriun të lartohet drejt kundrimit të së Vërtetës”.
Etërit jezuitë, që e drejtojnë Observatorin astronomik vatikanas – vijoi Shenjtëria e Tij – janë jo vetëm aktivë në kërkimet shkencore astronomike, por edhe të gatshëm për t’i ndihmuar breznitë e reja të astronomëve, si po bëjnë sivjet me shkollën e re, që do të studiojë planetet jashtë sistemit diellor. Në përfundim të audiencës, Ati i Shenjtë uroi që kjo bashkësi e vogël ndërkombëtare të bëhet simbol i një bashkëpunimi më të gjërë shkencor, për të mirën e mbarë njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.