2007-06-10 19:26:51

Bush në Shqipëri: pavarësi për Kosovën, hapa të tjera për integrimin në NATO dhe BE


(10.06.2007 RV)Presidenti Xhorxh Bush – presidenti i parë amerikan që shkel në Shqipëri.
U krye sot një nga vizitat e pritura me padurim nga qeveria dhe nga një pjesë e mirë e popullit shqiptar. Presidenti amerikan Xhorxh Bush, pas vizitës së djeshme në Romë e në Vatikan, ku u takua me Papën Benedikti XVI, shkoi sot në Shqipëri ku kaloi 7 orë intensive, në mbledhje me krerët e vendit e të rajonit, me vizita e me marrjen e titujve të ndryshëm akorduar nga Shqipëria. Është presidenti i parë amerikan që viziton Shqipërinë.
Tre – temat kryesore që përshkuan vizitën e tij në Shqipëri: çështja e Kosovës, integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, reformat e brendshme.
“Nuk mund të diskutojmë pa fund për Kosovën” deklaroi presidenti i SHBA-ve, në një konferencë shtypi, pasi kishte takuar presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun dhe kryeministrin Sali Berisha. Duke sqaruar se Uashingtoni është gati të kërkojë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe pa konsensusin e Rusisë, Bush në konferencën e përbashkët me Sali Berishën, tha se nëse nuk gjendet shpejt një marrëveshje mbi Kosovën, duhet të kalohet në një rezolutë të OKB-së e t’u thuhet “mjaft” fjalëve. Përsa i përket Serbisë, Bush parashtroi mundësinë e integrimit të saj në Bashkimin Evropian, në rast të pranimit të rezolutës mbi pavarësinë e Kosovës.
Bush do të ngarkojë sekretaren e shtetit Kondolica Rajs të vazhdojë me Moskën iniciativat dipllomatike për të arritur shpejt në një votim në Këshillin e Sigurimit, por këto bisedime nuk mund të vazhdojnë pa fund, theksoi ai.
Edhe dje, në takimin me autoritetet italiane, çështja e Kosovës ka qenë një nga më të rëndësishmet. Pas dështimit të gjetjes së një marrëveshjeje me Rusinë në mbledhjen e G8-ës në Gjermani, presioni amerikan dhe evropian mbi Moskën rritet. Cili është propozimi i ri për Kosovën që i parashtrohet Rusisë dhe Serbisë nuk është akoma e qartë, por dihet se së shpejti ministri i jashtëm italian D’Alema niset për në Ballkan.
Edhe kosovarët e dinë mirë rëndësinë që ka për ta vizita e presidentit amerikan në Shqipëri. Autoritetet e Prishtinës, duke filluar nga presidenti Fatmir Sejdiu e kryeministri Agim Çeku, por edhe të tjerë kanë falenderuar Shtëpinë e Bardhë për mbështetjen që i kanë dhënë çështjes së Kosovës.
Për një analizë të shkurtër mbi vizitën e presidentit amerikan Bush në Shqipëri, të dëgjojmë opinionin e Gjergji Filipit, drejtor kërkimesh në Institutin AGENDA dhe profesor në universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në TiranëRealAudioMP3
Të kthehemi tek vizita. Presidenti Bush falenderoi Shqipërinë për kontributin e dhënë në luftrat e Afganistanit e të Irakut dhe në frontin më të gjerë të luftës kundër terrorizmit. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të rriten kontingjentet shqiptare në Afganistan dhe Irak. Presidenti amerikan premtoi mbështetjen e SHBA-ve ndaj aspiratave të Tiranës për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por nënvizoi se duhen arritur disa rezultate gjatë rrugës, rezultate që kanë të bëjnë me reformat e brendshme.
Këto probleme dolën më qartë në drekën me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, atë të Kroacisë, Ivo Sanader dhe atë të Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Të treja këto vende bëjnë pjesë në Kartën e Adriatikut, hapi i parë drejt integrimit në NATO, ku Tirana, Zagrebi dhe Shkupi shpresojnë të ftohen në vitin 2008. Të rëndësishme temat e bisedës, që varionin nga situata në Kosovë, tek lufta kundër korrupsionit, politikat ekonomike e lufta kundër terrorizmit. Presidenti Bush u ka bërë të qartë të tri kryeministrave se akoma duhen bërë hapa përpara për të merituar anëtarësimin në strukturat e Paktit të Atllantikut.
Ndër ngjarjet që karakterizuan 7 orë vizitë të presidentit amerikan në Shqipëri qenë edhe dekorimi me “Urdhrin e Flamurit” nga ana e presidentit shqiptar, Alfred Moisiu, me motivacionin: aleat i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve – në shenjë mirënjohjeje të thellë për rolin historik në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave kombëtare, në të mirë të kombit shqiptar dhe të mbarë rajonit. Për kontributin e çmuar dhe mbështetjen e vendosur të qeverisë dhe të popullit amerikan në zhvillimin e proçeseve demokratike dhe të integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike”.
Titulli i dytë që iu dha presidentit amerikan erdhi nga bashkia e Fushë-Krujës, e cila e shpalli “Qytetar Nderi” të qytetit. Xhorxh Bush vizitoi këtë qytet, duke u liruar nga veshja e tij zyrtare e nga protokolli e duke u ndaluar në përqafime emocionuese me njerëzit që ishin mbledhur për ta përshëndetur, madje duke i dhuruar autografin e tij një qytetari. Ai vizitoi një projekt të USAID në Fushë-Krujë dhe në një restorat të zonës është takuar me afaristë të vegjël dhe të mesëm, fitues të projekteve amerikane. Bush është shprehur se ekonomia amerikane mbahet nga këta lloj biznesmenësh dhe se është i bindur se kjo është rruga që duhet ndjekur edhe në Shqipëri.
Pas orës 17 presidenti i SHBA-ve dhe delegacioni që e shoqëron janë larguar nga aeroporti i Rinasit “Nënë Tereza” për në Bullgari, etapa e fundit e turneut të Xhorxh Bushit në Evropë.







All the contents on this site are copyrighted ©.