2007-06-09 17:08:39

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(10.06.2007 RV) Sot Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Barnabës. Apostulli, që diti të kombinojë kulturën hebraike dhe atë helenistike, me të cilat u takua krishtërimi, duhet të shërbejë si shembull që meriton të ndiqet. Në një shoqëri si jona, në të cilën bashkëjetojnë shumë kultura, nuk duhet harruar se çdo i krishterë e ka për detyrë t’ua kumtojë gjithë vëllezërve shëlbimin e Zotit.
Liturgjia e së martes na kujton se njeriu nuk mund të shikojë në errësirë, se kërkon dritë e, prej këndej, se i krishteri, me shembullin e jetës së tij, është i thirrur të jetë dritë në errësirën e botës, që të gjithë të mund ta shikojnë Jezu Krishtin. Është festa e Shën Leonit III papë dhe e Shën Onufrit vetmitar, jeta e të cilëve u ndriçua gjithnjë nga drita e fytyrës së Zotit.
Festë e madhe, të mërkurën, në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë … e në Laç të Sebastes: është festa e Shën Andout të Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti i jetës.
Shën Elizeu profet dhe Shën Leduina, që do të kremtohen të enjten, na kujtojnë brohoritjen e psalmistit: “Na jep, o Zot, sy, për të parë lumninë tënde!”. Na kujtojnë edhe se mësimet e Jezusit nuk na pengojnë ta jetojmë me fund jetën tonë njerëzore. Përkundrazi, na ndihmojnë ta gëzojmë me frymë thellësisht humane e kristiane, me dashuri, bujari, drejtësi e solidaritet.
Solemniteti i Zemrës së Krishtit, që Kisha do ta festojë të premten, na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari e se atij që ecën pas Krishtit, nuk i mungon asgjë. E, pranë e pranë me Zemrën e Krishtit, të shtunën do të kremtohet Zemra e Papërlyer e Zojës së Bekuar, e Gruas që e mëson çdo të krishterë ta ndjekë në heshtje Zotin e ta ruajë në zemër të vet gjithçka Jezusi bën ditë për ditë për të e për të gjithë njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.