2007-06-09 17:12:58

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit


(09.06.07 RV) (Leximet biblike nga: Dal Zan 14,18-20; 1 Kor 11,23-26; Lk 9.11-17))
Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit.
Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndirçohet nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër sakramente.
I Shenjtueshmi Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe, kur Shpëtimtari i njerëzimit, Jezusi kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik.
Pra, në Euakristinë Shenjte, Jezusi vëretetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashterrshëm e i domosdoshëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame me apsotujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancat sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!”. Megjithëse Eukaristia është forcë e cila shkon përtej mireve të Kishave tona, sepse në këtë sakrament Zoti është gjithnjë për udhë, drejt botës, udhëve të njerëzimit. Për këte Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne bashkohemi me Krishtin, e lemë veten të depërtohemi, të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues, Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Të.
Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajten e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i paganueshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore, kërkon lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën e pavdekshme.
“ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, dmth. përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës.
Pra, në misterin e shenjtë të Korpit e Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, të bashkimit dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisëm që është burim e kult i çdo shenjtërie, i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin dhe shpallin ladvinë e Tij të përjetshme. RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.