2007-06-08 16:44:57

Qershori – muaji i Zemrës së Krishtit.


(08.06.2007 RV) RealAudioMP3 Në sa përfundoi muaji maj, kalendari na shpalosi 30 ditët e një muaji tjetër të përkushtuar: qershorit, muaj tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh. Por cila është simbolika e Zemrës së shenjtë të Krishtit?
Përgjigje: - Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Eshtë simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç ka thënë Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtzakonisht ndërtimtar.
Pyetje: - Kur lindi ky devocion?
Përgjigje: - Shumkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të pëshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit.
Pyetje: - Ndoshta fjala nuk është e përshtatshme, por sidoqoftë e vë në pah idenë: ç’përfitim shpirtëror kemi nga ky devocion?
Përgjigje: - Përfitimi i parë që kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepse ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. E kam fjalën për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me Zotin!
Pyetje: - Devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngusht edhe me Apostullimin e Uratës… Përgjigje: - Përshpirtëria e Zemrës së Krishtit është pikërisht në qëndër të Apostullimit të Uratës. E ka qenë që në fillimet e këtij devocioni, që i fton të gjithë besimtarët të mblidhen rreth Zemrës Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.