2007-06-08 16:44:24

Dashuria universale e Krishtit është burim i çdo veprimtarie bamirëse: kështu u shpreh Papa në audiencën me pjesëmarrësit e Asamblesë së 18-të të përgjithshme të Caritas Internationalis.


(08.06.2007 RV)RealAudioMP3 ‘Koncepti i vërtetë i caritas, na çon në zemrën e Kristianitetit, në ‘Zemrën e Krishtit’: ky është thelbi i reflektimit të Benediktit XVI në takimin me pjesëmarrësit e Asamblesë së 18-të të përgjithshme të Caritas Internationalis, të cilët i priti sot në Vatikan. Në fjalimin e tij, si theksoi se dashuria e Krishtit duhet të jetë në qendër të çdo veprimtarie bamirëse, Ati i Shenjtë i drejtoi një përshëndetje të posaçme kardinalit Oskar Rodriguez Maradiaga, i cili të martën e kaluar u zgjodh kryetar i Caritas Internationalis. Në audiencë ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’, kryeipeshkvi Paul Jozef Kordes.
Në impenjimin e organizatave si Caritas Internationalis, shikojmë frytet e dashurisë së Krishtit. Këtë nënvizoi Benedikti XVI, duke ripohuar, në vijim, se detyra kryesore e entit bamirës është ta mbështesë Kishën në misionin e saj për ta bërë dashurinë e Zotit të pranishme kudo. Prandaj – shpjegoi Papa– veprimtaria e Caritas Internationalis nuk është thjeshtë punë që kryhet në emër të Kishës, por pjesë përbërëse e vetë Kishës. Theksoi, kështu, kuptimin e dashurisë së krishterë, që duhet t’u prijë gjithnjë veprimtarive të Caritas Internationalis:
Çdo vepër bamirësie – vërejti Benedikti XVIduhet të frymëzohet nga përvoja personale e fesë, që na prin në zbulimin e dashurisë së Zotit. Kush punon në Karitas – vijoi Ati i Shenjtë – duhet të jetë dëshmitar i kësaj dashurie para botës.
Kujtoi, kështu, se dashuria e krishterë i kapërcen caqet e aftësisë natyrore për të dashur. Shën Pali e quan virtyt teologjik. Atëherë është e nevojshme që ndihma humanitare të lidhet ngusht me përvojën personale të fesë, duke u shndërruar kështu në pjesë të pandarë të dhuratës që u bëhet të varfërve.
“Veprimtaria bamirëse bëhet gjest vërtetë i denjë për njeriun, që është krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit, vetëm atëherë kur njësohet me dhurimin e krishterë të vetvetes – kujtoi Papa. Ta jetosh bamirësinë – vijoi Ati i Shenjtë - do të thotë të ecësh në rrugën e shenjtërisë, ashtu si shumë shërbëtorë të të varfërve, që Kisha i ka lartuar në nderimet e elterit. Më pas, Benedikti XVI foli për universalitetin e dashurisë së krishterë:
“Dashuria e Zotit – tha Papa – i ofrohet gjithkujt, prandaj bamirësia e Kishës është qëllim universal e duhet të përfshijë edhe impenjimin për drejtësi shoqërore. Megjithatë – kujtoi Papa – ndryshimi i strukturave të padrejta nuk mjafton për të siguruar lumturinë e njeriut. Duke ripohuar më pas, atë që pati theksuar gjatë shtegtimit të tij apostolik në Brazil, Benedikti XVI nënvizoi edhe një herë se Kisha nuk merret drejtpëdrejtë me politikë:
“Misioni i saj – tha Papa – është të promovojë zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. Prandaj, sfidat e mëdha të botës së sotme, që nga globalizmi, tek padrejtësitë shoqërore, nuk mund të përballohen e as të kapërcehen, në se vëmendja nuk përqendrohet tek nevojat më të rëndësishme të njeriut: tek mbrojtja e dinjitetit të tij e, në fund të fundit, tek shëlbimi i amshuar.
Në vijim Shenjtëria e Tij shprehu kënaqësinë për veprimtarinë e zhvilluar nga 150 organizatat kombëtare, që bëjnë pjesë në Caritas Internationalis. Inkurajoi, kështu, punonjësit e Karitaseve të vijojnë misionin e tyre për përhapjen e dashurisë së Krishtit, që të gjithë të kenë jetë e ta kenë me begati. Kujtojmë se punimet e Asamblesë së përgjithshme të Caritas Internationalis vijuan pasdite me miratimin e mesazhit përfundimtar e se, pas kryetarit të ri, dje u zgjodh edhe sekretari i ri i përgjithshëm: është drejtori ndërkombëtar i Karitasit të Anglisë e të Uellsit, Lesli-En Najt.







All the contents on this site are copyrighted ©.