2007-06-08 18:19:57

Asnjë marrëveshje për Kosovën nga G8-a


(08.06.2007 RV)Përfundoi me vendime të rëndësishme për Afrikën mbledhja e G8-ës në Gjermani, por pa asnjë marrëveshje për Kosovën. Propozimi i presidentit francez, Nikolas Sarkozì, i cili hodhi idenë e shtyrjes së diskutimit mbi statusin për një periudhë gjashtëmujore, nuk u pranua. Kryesisht Rusia nuk ishte dakord me të, pasi Sarkozi parashikonte që nëse gjatë gjashtë muajve nuk gjendej një formulë tjetër, do të zbatohej menjëherë plani i Ahtisarit për Kosovën, pa vonesa të mëtejshme. Diplomatët mendojnë se në rast të mungesës së marrëveshjes mes të mëdhenjve të botës, Rezoluta për Kosovën do të paraqitet brenda pak javësh në Këshillin e Sigurimit, megjithëse jo para takimit të presidentëve Bush e Putin, në fillim të korrikut në SHBA.


Menjëherë kanë reaguar si Prishtina, ashtu edhe Beogradi. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të miratojë sa më shpejt një rezolutë për Kosovën, duke hedhur poshtë propozimin që e shtyn vendimin për gjashtë muaj. Çeku ka vënë në dukje se Prishtina ka përmbushur çdo kërkesë ndërkombëtare dhe pret që fuqitë e mëdha t’i japin asaj besimin që meriton.
Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se është koha të hidhen ide të reja për bisedime lidhur me statusin e Kosovës. Për këtë ai duhet të takohet gjatë fundit të kësaj jave me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.








All the contents on this site are copyrighted ©.