2007-06-07 17:28:42

Marrëveshje mbi klimën në mbledhjen e G8-ës


(07.06.2007 RV)Kosova ka qenë çështje dreke në mbledhjen e G8-ës në Heiligendam të Gjermanisë, ku problemet kryesore mbeten respekti për ambientin dhe ekuilibri strategjik botëror.
Përsa i përket Kosovës, qëndrimet janë të ndryshme dhe dallimet, sidomos ndërmjet qëndrimit rus dhe atij amerikano-evropian, mbeten. Mbi të është diskutuar edhe në takimin e presidentit amerikan Xhorxh Bush me kryeministrin britanik Toni Bler. Këshilli i Sigurimit të OKB-së pret përfundimet e mbledhjes së G8-ës për të vendosur se kur duhet folur mbi rezolutën e re për Kosovën.
Përsa i përket klimës, pavarësisht se nuk ka marrëveshje për masën e reduktimit të gazeve që ndotin atmosferën duke sjellë fenomenin e ngrohjes së planetit, është arritur në kompromisin që deshën SHBA-të. Uashingtoni dhe vendet e tjera të G8-ës e njohën efektin serë si problem dhe pranuan në parim se duhen reduktuar në mënyrë drastike gazet ndotës në atmosferë, por pa caktuar objektiva. Po në parim, SHBA-të kanë pranuar se reduktimi i këtyre gazeve në masën 50% deri në vitin 2050 është një objektiv i rëndësishëm. Sipas presidentit amerikan Xhorxh Bush, për të caktuar një strategji të përbashkët në këtë drejtim, duhen përfshirë edhe vende si Kina e India e nuk mjaftojnë vetëm tetë vendet e mbledhura në Gjermani. SHBA-të janë gati të marrin përsipër madje, organizimin e një konference post-Kioto me pjesëmarrje të gjerë, e cila duhet të vendosë strategjinë e ardhshme. Sipas rezolutës përfundimtare mbi problemin e klimës, kjo konferencë duhet organizuar brenda vitit 2009, nën ombrellën e OKB-së.
Ironi e fatit, kjo mbledhje e G8-ës në Gjermani është më e shtrenjta dhe më problematikja për nga ndotja e atmosferës në të gjithë historinë e takimeve të tilla. Do të kushtojë 100 milion euro dhe do të prodhojë 30 mijë ton dioksid karboni, gazi përgjegjës për efektin serë.







All the contents on this site are copyrighted ©.