2007-06-07 17:29:31

BE-ja rifillon negociatat me Serbinë


(07.06.2007 RV)Komisioni Evropian do të rifillojë negociatat me Serbinë, pas vizitës së kryeprokurores Karla del Ponte në Beograd.
Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte përfundoi sot vizitën e saj katër ditore. Sot pasdite, takimi me prokurorin e Republikës për krimet e luftës dhe krerët e shërbimeve sekrete, atyre të policisë e të ushtrisë. Paradite, homazh në varrin e ish-kryeministrit serb Zoran Xhinxhiq, njeriut që ekstradoi Sllobodan Millosheviçin në Hagë.
Dje, Del Ponte, pas takimit me krerët më të lartë së Serbisë, deklaroi se do të paraqesë një raport pozitiv mbi vullnetin e Beogradit për të bashkëpunuar me Gjykatën ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi. Gjithsesi, saktësoi se raporti do t’i dorëzohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 18 qershor e deri në atë datë, ajo pret hapa të tjera pozitive të Serbisë në bashkëpunimin me Gjykatën.
I menjëhershëm reagimi i Komisionit Evropian, i cili në një komunikatë, deklaroi se negociatat me Beogradin do të rifillojnë më 13 qershor, pra javën që vjen. Bisedimet e para kanë të bëjnë me marrëveshje në fushën e tregtisë dhe të ekonomisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.