Thirrja e Papës drejtuar udhëheqësve të G.8: respektoni impenjimet mbi ndihmat për
zhvillimin e vendeve të varfëra e posaçërisht, atyre të Afrikës.
(06.06.2007 RV)Sot paradite, gjatë
audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI i drejtoi
një thirrje të re udhëheqësve të G.8., të mbledhur në takimin e rangut të lartë të
Hailigendam, në Gjermani. Ndërsa katekizmin e sotëm ia kushtoi ipeshkvit të Kartagjenës,
Çiprianit, i cili jetoi në shekullin III. Lidhur me samitin e G.8, Benedikti XVI
kujtoi letrën që i pati dërguar, në dhjetorin e kaluar, kancelares gjermane, Angela
Merkel, të cilën e falënderonte, në emër të Kishës katolike, për vendimin që të mbetej
në rendin e ditës të G.8 tema e varfërisë në botë, me vëmendje të përqëndruar posaçërisht
tek Afrika. Në letrën e përgjigjes, zonja Merkel e siguronte Atin e Shenjtë se G.8
do të impenjohej për arritjen e objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit që, sipas
kërkesës së Benediktit XVI, janë: “Shlyerja e plotë dhe e pakushtëzuar e borxhit të
jashtëm, hyrja pa pengesa e pa rezerva ndër tregje, reduktimi i ndjeshëm i tregtisë
së armëve, lufta kundër pandemive, posaçërisht, kundër Sidës, tuberkulozit, malaries
e sëmundjeve të tjera tropikale, kundër trafikut ilegal të lëndëve të para të çmuara
e transferimit të kapitaleve nga vendet e varfëra, korrupsionit e riciklimit të parave
që burojnë nga vepra kriminale”: arritje – pohonte Papa - që lidhen pazgjidhshmërisht
me paqen e sigurinë në botë: “Dëshiroj tani t’u drejtoj një thirrje të re liderve
të mbledhur në Hailigendam, që të mos heqin dorë nga premtimet për të shtuar në mënyrë
të ndjeshme ndihmën për zhvillim në favor të popullsive më nevojtare, posaçërisht
atyre të Kontinentit afrikan. Në këtë drejtim, vëmendje të posaçme meriton objektivi
i dytë i madh i mijëvjeçarit: sigurimi i arsimit fillor për të gjithë, deri në vitin
2015, që u krijon djemve e vajzave mundësinë për ta kryer plotësisht shkollën fillore
Ky objektiv – tha Papa – ndihmon për realizmin e të gjitha objektivave të
tjera të mijëvjeçarit: është garanci për objektivat e realizuara e pikënisje për proceset
e pavarura e të qëndrueshme të zhvillimit. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi impenjimin
e Kishës: “Nuk duhet harruar se Kisha katolike ka qenë gjithnjë në vijë të parë
në fushën e edukimit, duke arritur posaçërisht në vendet më të varfëra, atje ku strukturat
shtetërore shpesh nuk mund të arrijnë”. Kishat e tjera të krishtera,
grupet fetare e organizatat e shoqërisë civile – vijoi Ati i Shenjtë – e mbështesin
këtë impenjim edukativ. Është një realitet të cilin qeveritë dhe organizmat ndërkombëtare
duhet ta njohin, ta vlerësojnë e ta mbështesin edhe përmes ndihmës së nevojshme financiare. Solidariteti
për vendet e varfëra – shkruan Papa në letrën drejtuar kancelares Angela Merkel –
nuk është lëshim, por detyrë e rëndësishme dhe e pakushtëzuar, e bazuar në faktin
se të gjithë njerëzit i përkasin së njëjtes familje njerëzore.