2007-06-06 18:01:04

Mbi thirrjen e Papës – koment i imzot Bigucit nga Sierra Leone.


(06.06.2007 RV)RealAudioMP3 Mbi rëndësinë e thirrjes së Papës drejtuar G.8, që t’i mbajë premtimet për kooperimin dhe zhvillimin, të ndjekim komentin e imzot Gjorgjio Bigucit, ipeshkëv i Makenit, në Sierra Leone, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Është shumë e rëndësishme, sepse zëri i Papës dëgjohet në mbarë botën e, prandaj, do të arrijë sigurisht edhe tek anëtarët e G.8. E ne urojmë që nga G.8, mbi të gjitha, të mbahen premtimet që janë bërë herët e tjera, por që me sa duket, nuk janë mbajtur.
Pyetje: - Një nga detyrat kryesore, që thekson Papa, është pikërisht ajo e arsimit fillor…
Përgjigje: - Pa tjetër, ne këtu e jetojmë për ditë këtë situatë në Sierra Leone, në Afrikën perëndimore, ku akoma 70% e popullsisë është analfabete. Sigurisht kjo është pika numër një. Por, për fat të keq, po na thonë se Fondi monetar e Banka botërore qenkan të mendimit që këtu të pakësohet numri i mësuesve, e kjo po ndodh nga pak në të gjitha vendet e Afrikës subsahariane.
Pyetje: - Një nga problemet e mëdha të Afrikës është ai i paqes dhe i sigurisë, që nuk po arrihen kurrë, ndonëse flitet aq shumë për to…
Përgjigje: - Lidhet pikërisht me mungesën e zhvilimit, me varfërinë, me mungesën e drejtësisë, e edhe me korrupsionin. Por, nganjëherë, më duket se kjo u shkon shumë për shtat qeverive të Perëndimit.
Pyetje: - Përballë kësaj situate, ç’qëndrim mban Afrika sot: është e zhgënjyer, e pashpresë, apo shpreson akoma në ndihmën e vendeve më të zhvilluara ekonomikisht?Përgjigje: - Në të vërtetë, përzjehen të dyja: nga njëra vërejmë hidhërimin për faktin se premtimet nuk përkojnë aspak me faktet, por nga ana tjetër, Afrika është Kontinenti i shpresës, që nuk vdes!







All the contents on this site are copyrighted ©.