2007-06-06 18:00:54

Katekizmi i Benediktit XVI iu kushtua Shën Çiprianit: dëshmitar i unitetit e i mëshirës së Kishës.


(06.06.2007 RV)RealAudioMP3 Sot Papa ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, ipeshkvit afrikan të shekullit III, shën Çiprianit, që e pati shumë për zemër unitetin e Kishës e që i pranoi plot mëshirë edhe ata që fillimisht e mohuan fenë, të tmerruar nga persekutimet kundër të krishterëve.
“Kisha është një dhe e bashkuar nën katedrën e Pjetrit e ai që largohet, gënjen veten se bën pjesë në bashkësi. Por, nuk do harruar edhe se i krishteri duhet ta falë me gjithë zemër atë që, pasi e ka braktisur Kishën, kërkon të rikthehet në atë vend ku njeriu i flet Hyjit e Hyji e dëgjon njeriun”. Ky, thënë me dy fjalë, ishte stili baritor i shën Çiprianit, afrikan nga Kartagjena, që u kthye në kristianizëm në moshën 35 vjeçare, u shugurua më pas ipeshkëv e, 30 vjet më vonë, dha dëshminë e gjakut për Krishtin, duke u martirizuar nën perandorin Valeriani. Çipriani – shpjegoi Ati i Shenjtë - nuk qe teolog, por bari, i impenjuar kryesisht për të rivendosur disiplinën ndërmjet radhëve të të krishterëve, të tronditur thellë nga dhuna e nga persekutimi romak. Pas persekutimit të Deçios, në vitin 251, Çiprianit iu desh të përballonte problemin e atyre që u quajtën ‘lapsi’, dmth që e braktisën Kishën nga frika e martirizmit, por që, sapo kaloi rreziku, kërkuan të rikthehen në radhët e saj. Bashkësia e Kartagjenës u nda në dy grupe: në ‘lasistë’, që ishin gati t’i falnin femohuesit e në ‘rigoristë’, që kërkonin spastrimin e Kishës nga tradhtarët. Si të mos mjaftonte kjo, një epidemi e tmerrshme murtaje e një grindje ndërmjet ipeshkvit të Kartagjenës e Papës Shtjefni e thelluan edhe më keq tensionin. E pikërisht në këto rrethana të vështira, Çipriani tregoi se ishte i pajisur me aftësi të rralla për të drejtuar.
“Qe i ashpër, por jo i paepur me femohuesit, duke u krijuar mundësinë e faljes, pas një pendese shembullore; përballë Romës, mbrojti me vendosmëri traditat e shëndosha të Kishës afrikane; tepër human e plot me shpirtin ungjillor, i nxiti të krishterët t’i ndihmonin vëllazërisht paganët gjatë epidemisë së murtajës; u kujtoi besimtarëve – që nuk donin t’i humbisnin pasuritë tokësore – se jeta e vërtetë e pasuritë e vërteta nuk janë të kësaj bote; luftoi pa kompromis kundër zakoneve të korruptuara e mëkateve që minonin jetën morale, posaçërisht kundër koprracisë”.
Pavarësisht nga persekutimet e nga kontrastet me Romën, Çipriani – pohoi Benedikti XVI – na tregon se uniteti me Papën është detyrimi më i lartë që duhet të plotësojë kush dëshiron t’i përkasë Kishës. Ai – tha Papa:
“Dallon Kishën e dukshme, hjerarkinë, nga Kisha e padukshme, mistike, por pohon me forcë se Kisha është një e vetme, e themeluar mbi Pjetrin. Nuk lodhet kurrë së përsërituri se kush e braktis katedrën e Shën Pjetrit, mbi të cilën bazohet Kisha, gënjen veten se është në Kishë. Ka një Zot të vetëm, një Krisht të vetëm – qorton Çipriani, e një e vetme është Kisha e tij, një e vetme feja, një i vetëm populli i krishterë, i bashkuar në unitet të çeliktë: e nuk mund të ndahet, çka është një e vetme ”.
Edhe nga lutja themelore e Kishës, Atyna, buron karakteri i harmonishëm e kolektiv i Kishës. Kjo lutje – vëren Çipriani – na u dhurua nga Krishti në numrin shumës, në mënyrë që ai, i cili lutet, të mos lutet vetëm për vetveten. Urata jonë – vijon Shenjti- është publike e komunitare.
“Si përfundim – pohoi Papa – mund të themi se Çipriani zë vend në zanafillën e asaj tradite të frytshme teologjiko-shpirtërore, që e shikon ‘zemrën’ si vend të privilegjuar për lutjen. E, si për Biblën, ashtu edhe për Etërit e Kishës, është pikërisht zemra njerëzore vendi ku banon Zoti”. Kështu u shpreh Ati i Shenjtë dhe, në përfundim të audiencës, i ftoi besimtarët t’i hapin zemrat, për të dëgjuar zërin e Zotit, për të cilin flasin Bibla e Etërit e Kishës, sepse kemi vërtetë nevojë. Vetëm kështu mund ta kuptojmë plotësisht se Hyji është Ati ynë e se Kisha, Nusja e Shenjtë e Krishtit, është vërtetë Nëna jonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.