2007-06-06 19:30:14

Asnjë marrëveshje për klimën në takimin e G8-ës


(06.06.2007 RV)Fillon së mbrapshti takimi i G8-ës në Gjermani. Dihet që në fillim se komunikata përfundimtare mbi klimën nuk do të fiksojë objektiva afatgjatë mbi reduktimin e gazeve përgjegjës për efektin serë, apo ngrohjen e tepruar të atmosferës. Kështu të paktën deklaroi delegacioni i SHBA-së, pak orë para fillimit të G8-ës, duke hedhur poshtë krejt propagandën e presidentit Bush, të cilit dëshira për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit që thithim i zgjati aq kohë sa ishte e nevojshme për të zënë faqet e para të gazetave. Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të propozojë reduktimin e gazeve ndotës të atmosferës në masën 50% brenda vitit 2050, por këshilltari i presidentit Bush për ambientin bëri të ditur se SHBA-të “nuk janë gati ta pranojnë një propozim të tillë”.
Të vështira edhe temat e tjera në rendin e ditës: Lindja e Mesme, Darfuri, mbrojtja me raketa, por edhe ballafaqimi i nesërm Bush – Putin. Pas akuzave të djeshme ndaj demokracisë ruse, sot aleati i përhershëm amerikan në Evropë, Britania e Madhe bëri të qartë se Brukseli mund t’i minimizojë marrëdhëniet me Rusinë. Kryeministri britanik, Toni Bler, i cili pas pak ditësh do të lërë postin, deklaroi në Londër se Evropa është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë, por mbi bazën e “vlerave të përbashkëta”. Gjatë mbledhjes së G8-ës, tha Bler, do të flitet me letra të hapura me Rusinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.