(05.06.2007 RV)Pa veprimtarinë misionare të Shën Bonifacit, Apostull i gjermanëve,
ipeshkëv e martir,nuk do të kishte qenë i mundur organizimi politik e shoqëror
evropian i Karlit të Madh. Bonifaci ose Winfridi duket se i përkiste një familjeje
fisnike angleze të Devonshirit, ku edhe lindi rreth vitit të largët 673. Data nuk
është e sigurtë, sepse disa nga studiuesit e jetës së tij shënojnë si datëlindje vitin
680. Para se të niste veprën e lumnueshme të ungjillëzimit të popullsive gjermanike
të përtej lumit Ren, praktikoi rregullin murgar në abacinë e Exeter-it e të Nursling-ut.
Si kapërceu vështirësitë e para, ia doli mbanesh ta përshkonte gjithë territorin gjerman
vetëm për tri vjet. Pas kësaj veprimtarie të ethshme, duke pasur parasysh vështirësitë
e kohës, u thirr në Romë nga Papa, u shugurua ipeshkëv dhe mori emrin e ri Bonifac.
Para se ta organizonte Kishën në bregun e djathtë të Renit, mendoi të themelonte,
ndërmjet zonës së Hessen-it e të Turingjisë, një abaci, që u bë qëndër me rëndësi
të dorës së parë e përshpirtërisë dhe e kulturës fetare në Gjermani. Lindi kështu
abacia e famshme e Fuldës. Si seli ipeshkvnore zgjodhi qytetin e Maincit. Pak
vjet më parë, kur në Fuldë të Gjermanisë u kremtua 1250 vjetori i vdekjes së Shën
Bonifacit, Papa Gjon Pali II u pati drejtuar gjermanëve një Mesazh, përmes të cilit
i inkurajonte të ndjekin shembullin e këtij njeriu me besim të patundur, të këtij
rregulltari me fe të gjallë ndërmjet vështirësive të panumërta, të këtij ipeshkvi,
që dha jetën për e duke predikuar fjalën e Ungjillit. Figurë e ndritur dhe e
dashur për Kishën katolike gjermane, Shën Bonifaci u përkujtua me kremtime madhështore
në Fuldë, ku është varrosur sipas dëshirës së tij, pasi u mbyt nga paganët në vitin
754, në moshën 80 vjeçare. E martirizuan sepse shqetësonte shumkend me shenjtërinë
e misionin e tij, sepse as lodhja, as mosha e as kërcënimet nuk e patën përkulur,
por pati mbetur predikatar i zjarrtë e i palodhur i fjalës së Krishtit, shembull i
ndritur për Kishën katolike gjermane e universale. Kuvendi i Shën Bonifacit në Fuldë
ka qenë në shekuj edhe fidanishte për edukimin e fretërve të rinj françeskanë, ndërmjet
të cilëve dhe shqiptarë. Prej tyre po kujtojmë françeskanët Atë Daniel Gjeçaj e Atë
Pashko Gojçaj.