2007-06-05 18:23:01

Papa i drejton G.8 ftesën që lufta kundër varfërisë të jetë në qendër të bisedimeve në Hailegendam.


(05.06.2007 RV)RealAudioMP3 “Të vihet tema e varfërsië në botë, në qendër të takimit të rangut të lartë të G.8, që do të fillojë nesër në Gjermani”: këtë i kërkon me forcë Papa udhëheqësve të 7 vendeve më të industrializuara dhe të Federatës ruse, që do të marrin pjesë në samitin e Hailigendam. Thirrja e Benediktit XVI bëhet përmes letrës drejtuar kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e fillimit të presidencës gjermane të Bashkimit Evropian e të G8, në dhjetorin e kaluar. Po kujtojmë pikat kryesore të këtij mesazhi: Për Papën, objektivi për zhdukjen e varfërisë së skajshme brenda vitit 2015, është një nga detyrat më të rëndësishme të kohës sonë. E, në këtë drejtim – thekson Ati i Shenjtë – G8 duhet të luajë rol udhëheqës. Por Selia e Shenjtë është e shqetësuar nga paaftësia e vendeve të pasura për t’u ofruar vendeve të varfëra, posaçërisht atyre të Afrikës, kushte të përshtatshme financiare e tregtare, që do të krijonin mundësi për zhvillim afatgjatë. Nuk është fjala për koncesione – thekson Ati i Shenjtë – por për një detyrë morale me peshë e të pakushtëzuar, të bazuar në faktin se të gjithë njerëzit i përkasin së njëjtes familje njerëzore. Për vendet e varfëra – vijon Papa – duhen siguruar kushtet komerciale të favorshme si dhe hyrja pa pengesa e pa rezerva ndër tregje. Sipas Benediktit XVI, duhen marrë masa paraprake për shlyerjen e plotë e të pakushtëzuar të borxhit të jashtëm të këtyre vendeve, duke parandaluar edhe rrezikun e përsëritjes së borxheve të kësaj natyre. Papa i nxit vendet e industrializuara t’i respektojnë impenjimet e marra për luftën kundër varfërisë e kundër pandemive, posaçërisht, kundër Sidës, tuberkulozit, malaries e sëmundjeve të tjera tropikale, pa kërkuar lëshime me karakter juridik ose ekonomik. Pohon, kështu, me forcë se bashkësia ndërkombëtare duhet të vijojë përpjekjet për reduktimin e ndjeshëm të tregtisë së armëve, të trafikut ilegal të lëndëve të para të çmuara e të transferimit të kapitaleve nga vendet e varfëra. Njëkohësisht duhet të impenjohet për zhdukjen e praktikës së riciklimit të parave që burojnë nga vepra kriminale si dhe të korrupsionit të funksionarëve të vendeve të varfëra. Është fjala për arritje që lidhen pazgjidhshmërisht me paqen e sigurinë në botë. Por të dëgjojmë fjalët që u tha vetë Benedikti XVI, më 19 majin e kaluar, anëtarëve të Fondacionit “Centesimus Annus – Pro Pontefice”. Duke kujtuar 40-vjetorin e Populorum progressio të Palit VI, Benedikti XVI nënvizoi se zhvillimi nuk duhet reduktuar vetëm në zhvillimin ekonomik, sepse për të qenë i vërtetë, duhet të jetë i plotë, dmth duhet ta ketë mirë parasysh përparimin e çdo njeriu e të njeriut në përgjithësi:
“Vëmendja për kërkesat e vërteta të njeriut, respekti për dinjitetin e çdo njeriu, kërkimi i sinqertë i së mirës së përbashkët, janë parimet frymëzuese që është e mira të kihen parasysh, kur bëhen plane për zhvillimin e një kombi. Por, për fat të keq, nuk ndodh gjithnjë kështu. Në shoqërinë e sotme të globalizuar, vërehen shpesh çekuilibrime paradoksale e dramatike. Në fakt, kur flitet për përqindjet e zhvillimit ekonomik, kur analizohen problemet që lidhen me përparimin modern, pa përjashtuar ndotjen e ndjeshme të mjedisit dhe shpenzimin pa përgjegjësi të burimeve natyrore e ambientale, duket qartë se vetëm një proces globalizmi i vemendshëm ndaj kërkesave të solidaritetit, mund t’i sigurojë njerëzimit një ardhmëri me mirëqenje e paqe të vërtetë për të gjithë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.