2007-06-05 18:23:12

Benedikti XVI uron që Ungjilli të kumtohet gjithnjë më me forcë në Tokën Shenjte.


(05.06.2007 RV)Papa i dërgoi përshëndetjet e tij Kapitullit të Rojtarisë së Tokës Shenjte, që u hap më 3 qershor në Betlehem. Në një telegram, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtuar Rojtarit të Tokës Shenjte, françeskanit Pierbatista Picabala, Benedikti XVI e siguron se lutet që kjo mbledhje e rëndësishme, besnike ndaj frymës së Atit serafik, Shën Françeskut, t’i përgjigjet me hov të ri apostolik sfidave të reja të kohës sonë. Papa uron edhe që takimi të shërbejë për gjallërimin e impenjimit baritor në viset e shenjta, për t’ua kumtuar gjithnjë më me forcë Ungjillin besimtarëve të bashkësive vendase e shtegtarëve nga të katër anët e botës që vizitojnë Tokën Shenjte. Kujtojmë se tema, me domethënie përgjithësuese, e Kapitullit të Rojtarisë, që kryesohet nga atë Picabala, është “Zot, ç’dëshiron të bëj në Tokën Shenjte?”. Në të marrin pjesë 47 rregulltarë, përfaqësues të gjithë bashkëvëllazërisë të Tokës Shenjte. Qëllimi i punimeve, që do të vijojnë deri më 12 qershor, është të gjinden rrugët më të përshtatshme për gjallërimin e misionit të françeskanëve në Tokën Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.