Kisha katolike përkujtoi Shën Françesk Karaçiolon, meshtar.
(04.06.2007 RV)Shenjti lindi më 13 tetor të vitit 1563 në Santa Maria të Kietit
(Itali), vdiq më 4 qershor 1608 në Anjone.Emri Askanio Caraçiolo – që iu dha në pagëzim
Shenjtit, ishte i regjistruar para se të lindte, në Kongregatën e Etërve të Bardhë
të Drejtësisë. Natyrisht qe fjala për një rregulltar me të njëjtin emër, që asistonte
të dënuarit me vdekje. Provania sikur ia kishte caktuar, pa lindur mirë, rrugën që
do të ndiqte. I thirrur për të ecur në këtë rrugë, më 1593 u nis për Napoli, ku studioi
filozofinë dhe bëri kushtet rregulltare në të njëjtën Kongregatë, e cila shumë shpejt
do ta ngrinte në rangun e Eprorit të Përgjithshëm me emrin e ri, Françesk. Si e kreu
mandatin e parë, u nis për në Spanjë, ku themeloi shtëpinë rregulltare të Valadolidit
dhe një kolegjë në Alkala. Më pas shërbeu si mësues i rishtarëve në Madrid, për t’u
rizgjedhur epror i përgjithshëm i Kongregatës. Veprimtaritë e panumërta që kreu, pa
e kursyer kurrë vetveten, ia dëmtuan rëndë shëndetin. Mbylli sytë përgjithmonë, në
sa vizitonte Anjonen. Trupi i tij u mbart në Napoli e u varros në Kishën e Shën Marisë
së Madhe. Mrekullia e parë, shërimi i një sakati gjatë salikimeve të tij, bëri që
të përhapej menjëherë devocioni i Shenjtit, që u kanonizua nga papa Piu VII më 24
maj 1807.