2007-06-04 18:28:55

Del Ponte në Serbi vlerëson bashkëpunimin me Hagën


(04.06.07 RV)Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte ndodhet sot në Beograd në përpjekjen për të vlerësuar shkallën e bashkëpunimit të Serbisë. Qeverisë së re serbe i janë bërë premtime nga Brukseli për rifillimin e negociatave mbi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, por fati i tyre do të varet në një shkallë të madhe nga opinioni i Del Pontes. Javës që kaloi, autoritetet serbe kapën njërin nga të kërkuarit e Hagës, gjeneralin Tolimir, por funksionarë të shtetit kanë bërë të qartë se nuk mund të përcaktojnë afate për dorëzimin e kriminelëve të tjerë të luftës. Nga Beogradi, kanë njoftuar se generali Ratko Mladiq nuk duket se ka ndërmend të dorëzohet i gjallë, edhe sikur të gjendet, ndërsa për Radovan Karaxhiqin, autoritetet thonë se nuk dihet vendi ku fshihet. Del Ponte ka pretenduar gjithnjë se Beogradi e ka ditur dhe e di se ku gjenden këta persona, por i mungon vullneti për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës.


Nesër, Serbia do të hapë një varr masiv, ku besohet të jenë varrosur të paktën 500 shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ky do të ishte varri më i madh masiv i zbuluar në Serbi që nga viti 2001, kur trupat e mëse 800 shqiptarëve të Kosovës u gjetën në një fushë stërvitjeje për policinë, jashtë Beogradit. Sipas autoriteteve, edhe këto trupa pa jetë, janë varrosur fillimisht diku tjetër e janë mbledhur më pas nga forcat speciale serbe, për t’u varrosur në një varrezë të përbashkët, në mënyrë që të humbnin gjurmët e krimeve të kryera.

Mijëra të afërm të viktimave të Srebrenicës do të hedhin në gjyq shtetin hollandez dhe Kombet e Bashkuara për dështimin në mbrojtjen e civilëve gjatë kohës së masakrës së njohur në Bosnjë-Hercegovinë. Sipas akuzës, Hollanda dhe OKB-ja janë përgjegjëse dhe duhet të njihen si të tilla, pasi nuk i mbrojtën civilët në territorin që duhej kontrolluar prej tyre. Në masakrën e Srebrenicës humbën jetën rreth 8000 boshnjakë.







All the contents on this site are copyrighted ©.