2007-06-03 17:39:17

Duke shpallur katër shenjtorë të rinj për Kishën universale, Benedikti XVI porositi t’i shikojmë si ‘vëllezërit tanë të mëdhenj’.


(03.06.2007 RV)RealAudioMP3 Në festën e sotme të të Shenjtnueshmes Trini, Ati i Shenjtë shpalli katër shenjtorë të rinj. Mesha solemne u kremtua sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, ku ishin mbledhur mijëra besimtarë, që e ndoqën kremtimin nën një shi të rrëmbyer. Të pranishën edhe presidentët e Filipineve, Irlandës, Maltës e Polonisë si dhe delegacionet zyrtare të Meksikës, Francës, Vendeve të Ulëta, si dhe kryeipeshkvi Peter Karlnlei i Bashkimit anglikan.
Të katërt evropianë shenjtorët e rinj: Gjorgj Preka (Giorgio Preca), maltez; Simoni nga Lipnica (Szymon Z Lipnicy), polak; Maria Eugjenia e Jezusit (Marie Eugénie De Jésus Milleret) franceze dhe Karli i Shën Andreut (Karel Van Sint Andries Houben), holandez.
“Katër vëllezër më të mëdhenj”: kështu duhet t’i shikojmë të gjithë këto dëshmitarë shembullorë të Ungjillit – i porositi Benedikti XVI besimtarët – duke admiruar lumninë e Zotit që pasqyrohet në jetën e Shenjtorëve.
“Secili shenjt bën pjesë në pasurinë që Krishti e mori nga Ati dhe e komunikoi në kohën e duhur . Është gjithnjë e njëjta shenjtëri e Jezusit, është gjithnjë ai vetë, ‘Shenjti’, që Shpirti i Hyjit i jep trajtë në ‘shpirtrat e shenjta’, duke i bërë miq të Krishtit e dëshmitarë të shenjtërisë së Tij”.
“Mik i Jezusit e dëshmitar i shenjtërisë që vjen nga Krishti – tha Papa për Gjorgj Prekën, njeri me shpirt thellësisht meshtarak e mistik, lindur në vitin 1880 në La Valeta të Maltës. Ia kushtoi gjithçka ungjillëzimit: shkrimet, udhëheqjen shpirtërore, mbarështimin e Sakramenteve e, mbi të gjitha shembullin e jetës së vet. I shquar në apostullimin e laikëve - kujtoi Ati i Shenjtë - ai themeloi “Shoqërinë e Doktrinës së Krishterë”, vepër e mirënjohur, që synon t’u sigurojë famullive shërbimin cilësor të katekistëve të mirëpërgatitur e të gatshëm për të shërbyer bujarisht. Meshtari maltez, që ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare, u shpall i lum në vitin 2001.
“Shën Gjorgj Preka e ndihmoftë Kishën të jetë, në Maltë e në botë – jehonë besnike e zërit të Krishtit, Fjalës së Mishëruar”
- uroi Papa dhe në vijim foli për birin e tokës polake, Simonin nga Lipnica, dëshmitar i Krishtit e bir shpirtëror i Shën Françeskut të Asizit, që jetoi në një epokë të largët, në shekullin XVI, por që pikërisht sot – theksoi Ati i Shenjtë – i propozohet Kishës si model aktual i të krishterit që, i frymëzuar nga shpirti i Ungjillit, është i gatshëm t’ia kushtojë gjithë jetën vëllezërve:
“Përplot me mëshirë, të frymëzuar nga Eukaristia, nuk ngurroi t’u jepte ndihmë të sëmurëve nga murtaja, sëmundje nga e cila vdiq edhe ai vetë, pak pasi kishte mbushur dyzet vjet”.
Mbrojtjes së Shën Simonit Papa ia besoi në mënyrë të posaçme njerëzit që vuajnë nga varfëria, nga sëmundjet, nga vetmia e nga padrejtësitë shoqërore.
Fort i dashur në vitet e shërbimit të tij meshtarak në Anglinë e në Irlandën e 1800-tës qe edhe meshtari pasionist holandez, Karli i Shëna Ndreut. Tek ai rendnin shumë njerëz për të kërkuar këshillin e urtë, vëmendjen e ngrohtë, fjalën shëruese. “Në sëmundje e në vuajtje, Shën Karli i Shëna Ndreut – i lumnuar në vitin 1988, pa fytyrën e Krishtit të kryqëzuar, për të cilin pati devocion gjithë jetën”- tha Papa dhe së fundi kujtoi të lumen franceze Maria Eugjenia e Jezusit e cila, menjëherë pas Revolucionit francez themeloi Kongregatën e Rregulltareve të Asuncionit. Rregulltarja, e lumnuar më 1975, e kuptoi rëndësinë e edukimit mendor e shpirtëror posaçërisht të vajzave, si nëna të ardhshme familjesh, si besimtare e si qytetare. Prandaj Papa uroi që
“.. shembulli i Shën Maria Eugjenies t’i frymëzojë burrat e gratë e ditëve tona që t’u transmetojnë të rinjve vlerat e t’i ndihmojnë të bëhen njerëz të fortë e dëshmitarë të gëzueshëm të Ringjalljes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.