2007-06-03 17:40:30

Nanë ktheju!


(03.06.2007 RV)Si shkambi n’per rrymë të shekujve
Muret qendrojnë jetike,
Ngulun për rranzë themeleve
t’Rozafës sonë Kreshnike.

Dhe sot, qe feja nipave
Shpresat prap ua gjallnoi,
Le të shkruhet mbi ballë të mureve:
Nanës që na vorfnoi!

Njasajë që i ditë prej sulmeve
T’kulshedrës me shtatë krena,
Na u ba mburojë, e të nemuna
S’ duroi t’i shohë kto dhena.

Njasajë… por vaj, na fajeve
Në verbim s’u vume cak,
E Nanës iu randue zemra,
Iku, e la kët prak!

O ju që parzme hekuri
Luftuet për besë e fe,
Idhtë tue valvitun flamurin,
Shenjtnue me gjak e be,

Zgjoniu nën rrasa t’heshtuna,
Çoniu me pa mjerim!
Ndihma e Arbnisë s’pamposhtun
Ç’u ba?… Si drita u shkim!

Po a kurrë thue, ma kurrë Virgjina,
- me gjamë ka e thrret Shqipnia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrî Rozafës… Maria?!

Tepër lënguem kso shtigjesh,
Si fmija mbetë pa nanë,
Per ne ma dritë nuk lëshuene
As yj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë s’do të ngrohemi?!
Pa shpresë do të rrimë të presim?
Po a e heshtun gjithmonë vallja
Do të mbesë në terr kah dënesim?!

Jo, jo!Pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,
e Zoja e Shkodrës së vet!”.

Qe te ato mure të ndrituna,
- zemra m’a ndien - ’i zani
Një popull në hov të galdimeve
tue brohoritë: “O ngani!”

Ktheu NANË! O ditë ma e bukura
Që Arbnia pret, ago!
Nanë ktheju e epnae hirin:
“Në Fè Shenjte na vllazno!".
 Patër Pjetër Meshkalla S.J.
Shkodër, 1927 







All the contents on this site are copyrighted ©.