2007-06-01 18:34:12

Kriza humanitare në Darfur, liria fetare në Azi e njohja e rrënjëve të krishtera të Evropës - në audiencën e Papës me ambasadorët e rinj të Sudanit, Burundit, Pakistanit, Estonisë e Islandës.


(01.06.2007 RV)RealAudioMP3 “Kombet e pasura nuk duhet të përfitojnë nga pasuritë e planetit, por t’i ndihmojnë shtetet më të varfëra për të zënë vendin e vet në zhvillimin ekonomik botëror. E fetë duhet të bashkëpunojnë për t’i edukuar ndjekësit e tyre me respektin për të gjitha besimet e të gjitha kulturat”. Këto janë dy konceptet kryesore të fjalimit të përbashkët që Benedikti XVI u drejtoi sot pesë ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë, të cilët i priti në audiencë për paraqitjen e letrave kredenciale. Ishin: ambasadori i Pakistanit, i Islandës, i Estonisë, i Burundit dhe i Sudanit.
Dy shtete afrikane, një aziatik, dy evropiane. Një hartë situatash e problematikash të ndryshme – që nga drama e Darfurit, tek respekti për pakicat fetare në Azi, nga mbrojtja e rrënjëve të krishtera në Evropë, tek kujdesi për familjen e martesën, por edhe një rast i mirë për të reflektuar mbi vlerat dhe impenjimet që, në një botë gjithnjë më të globalizuar, nuk e lejojnë asnjë shtet të shikojë vetëm interesat e veta. Në fjalimin e përbashkët drejtuar të pesë ambasdorëve në gjuhën franceze, Papa theksoi edhe se ka shumë rëndësi që Veriu ta ndihmojë Jugun e botës:
“Në fakt, në botën e sotme duhen forcuar më shumë se kurrë lidhjet që bashkojnë vendet, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kombeve më të varfëra. Në të vërtetë, vendet e pasura nuk mund t’i përdorin, pa u dënuar, pasuritë e vendeve më të varfëra, në se këto të fundit nuk zënë vendin që u takon në zhvillimin botëror. Është detyrë e autoriteteve të të gjitha vendeve të punojnë së bashku për shpërndarjen më të drejtë të pasurive e të të mirave materiale e shpirtërore të Planetit. Një bashkëpunim i tillë do të ketë ndikimin e vet mbi solidaritetin, paqen e jetën vëllazërore, si brënda shteteve, ashtu edhe ndërmjet tyre”.
E këtu Benedikti XVI bëri thirrje kolektive për impenjim të ri nga ana e të gjitha kombeve, posaçërisht e vendeve më të pasura, që të gjithë njerëzit – siç theksoi vetë Ati i Shenjtë – të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre në këtë drejtim e të pranojnë për ta ndryshuar mënyrën e tyre të jetesës në përkim me një shpërndarje më të drejtë të pasurive:
“Më lejoni të nënvizoj edhe rolin që kanë fetë në këtë fushë. Ata e kanë për detyrë t’i edukojnë ndjekësit e tyre me frymën e marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet të gjithë banorëve të të njëjtit vend e me vëmendjen plot respekt ndaj të gjithë njerëzve. Nga ana tjetër, një praktikë e vërtetë fetare nuk mund të jetë burim përçarjesh ose dhune ndërmjet njerëzve e bashkësive. Përkundrazi, ajo është në bazë të vetëdijes se çdo njeri është vëlla që duhet mbrojtur e duhet ndihmuar për t’u zhvilluar”.
Duke u ndaluar, pastaj, në situatat e veçanta të secilit nga të pesë vendet, Benedikti XVI shprehu pjesëmarrjen e shqetësimin e tij për tragjedinë që vijon prej kohe në zonën sudaneze të Darfurit. Në një konflikt që ka goditur posaçërisht popullsinë civile, gjithkush e di – nënvizoi Papa në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri të Sudanit, Ahmed Hamid Elfaki Hamid – se paqja nuk mund të sigurohet me forcën e armëve, por me rrugën e dialogut e të bisedimeve. I bëj, prandaj, thirrje të gjithë njerëzve që kanë përgjegjësi në këtë drejtim – kujtoi Benedikti XVI – të vijojnë përpjekjet e të marrin vendimet e duhura.
Edhe në fjalimin drejtuar ambasadores së re të Burundit, zonjës Domitila Barankira, Papa nënvizoi nevojën e guximit për paqen, në mënyrë që në këtë vend të mund të ndërtohet një shoqëri gjithnjë më vëllazërore e më solidare, pas viteve të gjata të konfliktit, që vijon, me pasoja jo të lehta. Plagët e luftës – vërejti Shenjtëria e Tij - mund të shërohen vetëm përmes kërkimit durimtar e këmbëngulës të së vërtetës, por edhe përmes faljes, që sigurisht nuk e përjashton drejtësinë. Ndërmjet tjerash Benedikti XVI kujtoi haraçin e rëndë që pagoi Kisha për shkak të përpjekjes së saj në mbështetje të paqes dhe solli shembullin e imzot Majkëll Kurtneit, nunc apostolik në Burundi, vrarë më 29 dhjetor 2003, pikërisht për veprimtarinë e tij në favor të pajtimit. Në këtë kontekst, Papa i ftoi autoritetet burundeze të mos i kursejnë përpjekjet për t’i zbuluar autorët e kësaj vrasjeje e për t’i nxjerrë para drejtësisë.
Me ambasadoren e re të Pakistanit, zonjën Aisha Riaz, Benedikti XVI foli për lirinë e besimit. Një shoqëri e shëndoshë demokratike – kujtoi Papa – bazohet mbi aftësinë e saj për të mbrojtur lirinë fetare, e drejtë themelore që bën pjesë në vetë dinjitetin e njeriut. Në një kohë kur kërcënimet kundër lirisë fetare bëhen gjithnjë më të rënda në mbarë botën, i jap zemër Pakistanit – tha Ati i Shenjtë – t’i shumfishojë përpjekjet për t’u siguruar njerëzve të drejtën e jetës e lirinë e fesë, duke i lejuar të kryejnë vepra bamirëse sipas ndërgjegjes së tyre, pa pasur frikë nga asnjë kërcënim.
Së fundi Evropa, me Estoninë e Islandën, dy realitete të vogla, po simbolike për problemet që Papa vijon t’i vërë me forcë në dukje prej kohe. Duke folur për vlerën e lirisë me ambasadorin e ri të Republikës baltike, 37 vjeçarin Juri Seilental, Benedikti XVI nënvizoi se revolucioni i madh, që ia ndryshoi faqen Evropës Lindore në dhjetvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, dëshmon se dëshira e njerëzve dhe e popujve për liri është e lindur e s’ka fuqi në botë që ta mposhtë, por edhe se liria nuk mund të kuptohet pa të vërtetën, pa respektin për dinjtetin e mbinatyrshëm të çdo njeriu e pa impenjimin për respekt e solidaritet reciprok. Posaçërisht – pohoi Ati i Shenjtë – katolikët e Estonisë dëshirojnë të bashkëpunojnë me besimtarët e tjerë të krishterë, për të mbrojtur shenjtërinë e martesës, rolin e misionin themelor të familjes, edukimin e fëmijëve e respektimin e jetës, si dhuratë e Zotit. Tema e trashëgimisë së krishterë të Kontinenit të vjetër u theksua, së fundi, në audiencën me ambasadorin e Islandës, Stefan Larus Stefanson. Papa foli për rrënjët e Ungjillit, që formoi kulturën islandese duke e bashkuar, si ferment qytetërimi, me atë evropiane. E, si e lavdëroi impenjimin e ishullit në mbrojtje të ambientit e në përdorimin e arsyeshëm të burimeve materiale, Benedikti XVI përfundoi duke vënë në dukje lidhjen e pandarshme që ekziston ndërmjet paqes e krijesës dhe paqes ndërmjet popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.