2007-06-01 19:06:12

Komisioni BE vendos rifillimin e negociatave me Serbinë


(01.06.07 RV)Komisioni Evropian ka vendosur të rifillojë negociatat për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Serbinë. Lajmin e dha komisari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Olli Ren, me anë të një note. Hapi vendimtar në këtë drejtim u bë dje me arrestimin e ish-gjeneralit serbo-boshnjak, Zdravko Tolimir, numri 3 në listën e të kërkuarve të Hagës dhe krahu i djathtë i gjeneralit Ratko Mladiç.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm e të shtrirë – pohon Ren në komunikatë – mund të konfirmoj se Komisioni mund të rifillojë negociatat me Serbinë. Data për turnin e ardhshëm të bisedimeve do të vendoset pas kthimit të kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte nga Serbia”. Del Ponte do të shkojë në Beograd javën e ardhshme e do të vlerësojë vullnetin për bashkëpunim të qeverisë së re serbe. Ren thekson se përfundimi i negociatave do të varet nga bashkëpunimi i plotë i Serbisë me Gjykatën ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi.







All the contents on this site are copyrighted ©.