2007-06-01 19:08:12

Fëmijët: me Konventë ndërkombëtare, por me pak të drejta


(01.06.07 RV)1 qershori është festuar si Dita e fëmijëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Për t’u shënuar fakti se në Shqipëri, presidenti i Republikës dhe kryeministri kanë qenë ndërmjet fëmijëve në dy qytete të ndryshme, Moisiu me jetimët në Shkodër dhe Berisha me fëmijët me probleme dëgjimi në Tiranë.
Konventa ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve është miratuar më 20 nëntor 1989. Në tekst u njihen fëmijëve të drejta eksluzive, pasi konsiderohen e ardhmja e botës. Të gjithë fëmijët kanë të drejta të barabarta që i mbrojnë nga diskriminimi, pa dallim race, feje, kombësie e seksi. Çdo fëmijë ka të drejtë të ketë një emër e një nënshtetësi, ka të drejtë të kurohet, të arësimohet e të formohet, të ketë kohë të lirë, të luajë e të dëfrehet. Ka të drejtë të dëgjohet, të ketë një sferë private e të rritet me frymën e barazisë e të paqes. Ka të drejtë të ndihmohet menjëherë në rast katastrofash, të mbrohet në rast dhune, ka të drejtë të ketë një bashkësi familjare dhe një shtëpi të sigurtë, ka të drejtë të ndihmohet në rast se ka të meta fizike të lindura apo të krijuara gjatë jetës.
Të gjitha të drejta të njohura botërisht, por jo gjithnjë të respektuara. Shenjë e qartë, refreni që i uron mirëseardhjen kujtdo që zbret në aeroportin e Tiranës, apo në portin e Durrësit: “o xhaxhi, o teta, nëm dy lek”. Për të mos përmendur rastet në rritje të braktisjes së shkollës e të largimit nga vendi për të lypur rrugëve të Evropës. Shqipëria ama, e ka ratifikuar konventën.







All the contents on this site are copyrighted ©.