2007-05-31 18:14:43

Përfundon në Aparesidë të Brazilit Konferenca V e episkopatit latinoamerikan e karaibik.


(31.05.2007 RV)Me një kremtim solemn eukarisitk, u mbyll sot në shenjtëroren e Aparesidës Konferenca V e përgjithshme e episkopatit latino-amerikan e karaibik, hapur nga Benedikti XVI më 13 majin e kaluar.
Dje ipeshkvijtë botuan dokumentin përfundimtar, përmes të cilit i ftojnë gjithë të pagëzuarit të marrin pjesë gjallërisht në veprimtarinë misionare.
Në bashkim me Benediktin XVI, ipeshkvijtë ripohojnë se pasuria më me vlerë e kulturës së popujve latinoamerikanë, është feja në Zotin Dashuri dhe pranojnë me përvujtëri dritë-hijet që vërehen në jetën e krishterë e në veprimtarinë baritore.
Pjesa e parë e dokumentit përfundimtar, që titullohet “Jeta e popujve tanë”, flet për realitetin e zonës e falënderon Zotin për dhuratën e fesë e për gëzimin e pjesëmarrjes në veprimtarinë misionare.
Pjesa e dytë, titulluar “Jeta e Jezu Krishtit në nxënësit e tij misionarë” reflekton për bukurinë e besimit në Krishtin, si burim jete e si ftesë që i drejtohet çdo të krishteri për t’ia kumtuar botës Ungjillin e për të ecur në rrugën e shenjtërisë, duke u përpjekur me të gjitha forcat për t’i përngjarë Zotit, me ndihmën e Shpirti Shenjt.
Pjesa e tretë e dokumentit përfundimtar, me titull “Jeta e Jezu Krishtit për popujt tanë”, reflekton për veprimtaritë kryesore baritore të së ardhmes, në përkim me realitetin e sotëm historik e kishtar të Amerikës Latine e të Karaibeve. Është pjesa më e rëndësishme, që përmbledh arritjet kryesore të Konferencës së Aparesidës: misionin e nxënësve në shërbim të jetës së plotë në Krishtin, detyrën për ta bërë Kishën bashkësi më aktive misionare përmes kthesës në veprimtarinë baritore dhe risimit kishtar të bashkësive e të strukturave. Në këtë kontekst, flitet gjatë për misionin kontinental, duke nënvizuar detyrat më të rëndësishme: kumtimin e mbretërisë së Hyjit dhe promocionin njerëzor. Ripohohet kujdesi për të varfërit e të braktisurit, si detyrë parësore e Kishës, por edhe mbrojtja e jetës, e martesës, e familjes dhe e ambientit.
Pjesa e fundit e dokumentit, me titull “Popujt tanë e kultura”, pohon e pasuron vendimet e Konferencave të Pueblës e të Santo Domingos për sa i përket ungjillëzimit të inkulturuar. Trajtohen tema si edukimi e komunikimi; veprimtaria baritore në qendrat e mëdha urbane e prania e laikëve të krishterë në jetën publike. Dokumenti mbyllet me reflektimin domethënës mbi dashurinë e popujve latinoamerikanë për Virgjërën Mari, që u tregon Udhën, të Vërtetën, Jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.