Në festën e Pasisë së Zojës së Bekuar, Papa mbyll muajin marian në Kopshtet e Vatikanit.
(31.05.2007 RV)Sot, 31 maj, përfundoi
muaji kushtuar Zojës së Bekuar. Kremtime u mbajtën në të gjithë botën katolike, posaçërisht
në Kishat kushtuar Virgjërës Mari, shoqëruar edhe me procesione. Në Kopshtet e
Vatikanit, maji u mbyll me procesionin tradicional, në përfundim të të cilit besimtarët
i përshëndeti Papa Benedikti XVI. Procesioni filloi në orë 20. 00. Qindra besimtarë
me qirinj të ndezur ndër duar thanë Rruzaren Shenjte duke u nisur nga Kisha e Shën
Shtjefnit, për t’u ndaluar pastaj para riprodhimit të Shpellës së famshme të Lurdës. Procesionet
e ditës së fundit të majit që kremtohen në mbarë botën katolike, na kujtojnë se të
gjithë kemi nevojë të mësojmë nga feja e Zojës së Bekuar. Pse? Përgjigje:
- Gjon Pali II, në Letrën “Kisha jeton nga Eukaristia”, e ka quajtur Zojën e Bekuar
“grua eukaristike”, sepse Zoja është ajo që besoi në fjalët e thëna nga Zoti i cili,
sa herë marrim Kungimin shenjt, na flet edhe ne e na thotë: “Ky është Korpi im, ky
është Gjaku im!”. Ne kemi nevojë të mësojmë nga feja e Marisë, në mënyrë që t’i afrohemi
Eukaristisë me zemër të hapur e kështu Eukaristia të sjellë në ne frytet që solli
Jezusi në jetën e Marisë. Pyetje: - Maji përfundoi, por kjo s’ do të thotë
se nuk do të lutemi më: nuk duhet të pushojmë kurrë s’u luturi së bashku me Virgjërën
Mari, duke thënë sidomos Rruzaren, një lutje e thjeshtë e tepër e pasur, një “përmbledhje
e vërtetë e Ungjillit”… Përgjigje: - Besoj se Rruzarja për familjen e
krishterë është një nga takimet më të bukura. Është urata që bashkon, është lutja
që shëron shpirtrat. Pyetje: - Diçka për kremtimin e sontëm në Vatikan?
Përgjigje: - Kremtohet Rruzarja. Besimtarët janë nisur nga Kisha e Shën
Shtjefnit e, duke thënë Rruzaren, kanë përshkuar udhëzat e Qytetit të Vatikanit. Edhe
kjo ecje së bashku, gjatë Kopshtijeve të Vatikanit, është një dëshmi e bukur e fesë
dhe një lloj metafore e jetës, sepse jeta është ecje, shtegtim. Dita e sotme, 31 maj,
është dita në të cilën Kisha kujton Marinë, e cila shkon nga shtëpia e Nazarethit
në shtëpinë e Elizabetës. Pasi i ka thënë “po” Zotit dhe e ka pranuar Jezusin në
zemrën e vet, Maria nuk mund të rrijë në shtëpinë e saj, ndjen nevojën të shkojë në
shtëpinë e një tjetre, për t’iu gjendur pranë, për t’i shërbyer. Në përfundim të majit
ne dëshirojmë t’ia ngulim sytë Virgjërës Mari, që del nga shtëpia e Nazarethit, për
të dalë edhe ne nga shtëpitë tona, për të ecur në rrugët tona, me zemrën plot dashuri,
në mënyrë që kush të na takojë e të na pyesë – siç e patën pyetur Nënë Terezën: “Pse
i bën këto gjëra?” - të mund të përgjigjemi: “Sepse m’i ka mësuar Zoti im, që quhet
dashuri”. Pyetje: - Pse është bërë traditë, në fund të majit, organizimi
i procesioneve kushtuar Zojës së Bekuar? Ç’kuptim kanë? Përgjigje: - Procesioni
na nxit të meditojmë për misterin e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta,
në sa mbante në kraharor Jezusin. Ajo është vajzë e re, por nuk ka frikë, sepse Zoti
është me të, brënda saj. E ne, në një farë mënyre, mund të themi se ky udhëtim i saj
qe proçesioni i parë i historisë. Tabernakull i vërtetë i Zotit të mishëruar, Maria
është arka e Besëlidhjes, në të cilën Zoti e vizitoi dhe e shpërbleu popullin e vet.
Procesioni na kujton edhe çastin kur Zoja hyri në shtëpinë e Elizabetës e Gjoni
kërceu prej hareje në kraharorin e s’ëmës, gati sikur të donte të paralajmëronte ardhjen
e Atij, që në një të nesërme do t’ia kumtonte Izraelit. Galdojnë foshnjat, galdojnë
nënat. E ky takim përplot me gëzimin e Shpirtit Shenjt gjen shprehjen e vet tek Magnificat,
që vijon të jehojë në zemrat e besimtarëve, për të shprehur gëzimin e Kishës, e cila
e mirëpret gjithnjë Krishtin në Eukaristinë shenjte dhe e çon në botë, me dëshiminë
e bamirësisë vepruese plot fe e shpresë. Po, gëzimi i vërtetë i të krishterit është
pikërisht ta mirëpresë Jezusin e t’ua çojë edhe të tjerëve. Prandaj mund të themi
me plot gojën se dita e fundit e Muajit të Zojës tingëllon si ftesë drejtuar gjithë
të krishterëve për ta ndjekur e për ta imituar Virgjërën Mari, gruan me shpirt eukaristik,
që jeta e secilit të bëhet një Magnificat – një këngë e vërtetë lavdërimi lartuar
Zotit!