Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Zhanën d’Ark, virgjër.
(30.05.2007 RV)Sapo i kishte mbushur
trembëdhjetë vjet, u tha prindërve, Zhakut e Izabelës: “Dëgjoj shpesh zërat e shenjtorëve:
zërin e Kryengjëllit Mikel, të Shën Katerinës së Aleksandrisë e të Shën Margeritës
së Antiokisë; më bëjnë thirrje për të ecur në rrugën e përshpirtërisë!”. Ndërsa
në moshën 18 vjeçe u besoi të fshehtën e madhe: “Zërat më bëjnë thirrje të çliroj
Francën!”. I ati u tërbua e ajo u detyrua të ikë nga shtëpia, ku nisën ta shikojnë
si të çmendur. Por kur parafoli mundjen e Francës, e paralajmërimi i saj u vërtetua
pikë për pikë, fisnikët e zonës e shoqëruan tek mbreti, që ndodhej në Kinon. Asokohe
mbret ishte Karli VII, 26 vjeç, i ligësht, pa kurrfarë sigurie në vetvete, i torturuar
nga mendimi se ishte bir i paligjshëm, që ia kishte ushqyer vetë e ëma. Ndërkaq
veriu i Francës, me gjithë Parisin, ishte ndër duart e anglezëve e të borgonjonëve;
në ushtrinë e Francës mbretëronte plogështia e shpërdorimi, Orleans-i ishte i rrethuar
nga anglezët. E kjo katundare analfabete i foli mbretit për fitore, ia zbuloi mendimet
e fshehta të së tashmes e të së kaluarës, i paralajmëroi ndeshkime qiellore në se
nuk do ta shpëtonte Francën. Atëherë mbreti, pasi u këshillua me profesorët e gjykatësit,
i la dorë të lirë. Dikush e quante të marrë, dikush shenjte! Ndërkaq Zhana d’Ark
kishte në mendje një plan krejt të qartë, që filloi me riorganizimin e ushtrisë: nënshtroi
komandantët, i detyroi trupat t’i bindeshin, rivendosi disiplinën. Pa bërë asnjë mrekulli
tjetër: është kjo mrekullia e saj. Fliste, qortonte, nxiste. E dinte se Francës së
gjunjëzuar, i duhej një fitore e menjëhershme. Nisi, prandaj, të mendojë për trupat
që duhet të çlironin Orleans-in nga rrethimi. Ushtarët, që rifituan dinjitetin e
tyre, iu binden me kënaqësi Zhanës, ndonëse ajo tregohej tepër e ashpër me ata që
blasfemonin. Erdhi, pastaj, veprimi politik kryesor. Zhana e hoqi pothuajse zvarë
Karlin VII në Reims, ku e kurorëzoi më 17 korrik 1429. Kështu Franca kishte një mbret
të vërtetë e të padiskutushëm, para të cilit tani qytetet e shumta armike hapnin portat.
Kjo është kthesa politike dhe ushtarake që çoi drejt fitores: në vitin 1437 Karli
VII hyri ngadhënjimtar në Paris. Po Zhana nuk ishte më. Pasi u plagos para Parisit
(shtator 1429) ajo u kap nga borgonjonët, të cilët ia shitën anglezëve. Ata hapën
menjëherë kundër saj një proces gjyqësor. U paraqit si shtriga e Ruënit para një gjykate
të kryesuar nga Pierr Kushon, ipeshkëv i Bovesë, në të cilën bënin pjesë dyzet anglezë
e po aq francezë anglofilë. Zhana nuk kishte mbrojtës, në një kohë kur edhe pjesëmarrja
e gruas në luftë, veshur si mashkull, konsiderohej krim. Qëndroi e papërkulur para
gjykatësve, ripohoi se “zërat” nuk e kishin gënjyer, kapërceu një çast ligështie,
i thirri sërisht “zërat”, dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi
turrën e druve si shtrigë. E dogjën, sapo i kishte mbushur 19 vjet, në mes të
Sheshit të Tregut në Ruë. Nga flakët, që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë
të Kryqëzuarit, të cilin rrëfyesi e mbante të ngritur lart para saj. Në vitin 1455
papa Kalisti III urdhëroi të rishikohej procesi e të rehabilitohej plotësisht Virgjëra
e Orleanit. Zhanë d’Ark, për të cilën janë shkruar mijëra faqe historike e letrare,
u shpall e lume nga papa Piu X në vitin 1910; shenjte - nga Benedikti XV në vitin
1920.