2007-05-30 18:17:26

G8: Lavrov kërkon bisedime serbo-kosovare


(30.05.07 RV)Ministrat e jashtëm të vendeve të G8-ës janë mbledhur sot në Postdam për të vendosur rendin e ditës së takimit të krerëve të shteteve që do të zhvillohet në Hailigendam, gjithnjë në Gjermani, nga 6 deri më 8 qershor. Në tryezën e bisedimeve çështje që kanë të bëjnë me klimën, Kosovën dhe Afganistanin.
Përsa i përket Kosovës, vazhdojnë mosmarrëveshjet me Rusinë. Kreu i dipllomacisë së Moskës, Sergei Lavrov hodhi poshtë kërkesën e kolegut gjerman, Frank Shtajnmajer për të mos bllokuar miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit. Duke përsëritur qëndrimin e përhershëm të Rusisë, Lavrov theksoi se “fati i Serbisë, fati i Kosovës nuk duhet të vendosen në Nju Jork apo në Postdam… por në bisedime të drejtpërdrejta dypalëshe”.
Në kuadrin e këtij takimi të G8-ës, kanë biseduar edhe sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs dhe ministri i jashtëm francez, Bernar Kushner, i cili ka qenë administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës. Kushner ka kërkuar praninë afatgjatë të bashkësisë ndërkombëtare në vend.

Sot, qe ministri i jashtëm italian D’Alema, ai që paraqiti në Postdam çështjen e Kosovës. Ndër të tjera theksoi “Se nuk ka alternativë tjetër përveç njohjes së sovranitetit të Kosovës, pavarësisht nga kufizimet që mund t’i vihen planit të Ahtisarit… Do të ishte jo realiste të ktheheshim në ripohimin e sovranitetit historik serb, i cili faktikisht nuk ekziston më”.







All the contents on this site are copyrighted ©.