Shekullarizimi i shpërfill vlerat e mbinatyrshme e ia mbyll rrugën së vërtetës: kardinali
Bertone flet në takimin mbi fenë e laicitetin.
(30.05.2007 RV)“Të krishterët janë pararoja e një Evrope të re, që mund të
jetë realistike, por jo cinike, e pasur me ideale, e lirë nga iluzionet foshnjore
dhe e frymëzuar nga vërtetësia e Ungjillit” - këtë theksoi sekretari i Shtetit të
Vatikanit, kardinaliTarçizio Bertone në fjalimin e mbajtur dje pasdite në
Romë, gjatë takimit me temë “Krishtërimi e shekullarizimi: sfidat për Kishën e për
Evropën”. Në këtë takim, të organizuar nga Universiteti evropian në Romë, mori pjesë
edhe imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, i cili
foli pas kardinalit Bertone, kryesisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shekullarizimi,
duke mos u shqetësuar për vlerat e mbinatyrshme, me kalimin e kohës nuk mundi ta fshehë
mungesën e humanitetit, ia mbylli rrugën së vërtetës duke e zëvendësuar me idelogjinë,
me skepticizmin ose me nihilizmin - nënvizoi kardinali Bertone. Historia – vijoi Hirësia
e Tij – i përgënjeshtroi mesianizmat pa mesinë të cilat, duke i lënë mënjanë vlerat
e kristianizmit, duke e privatizuar fenë e duke e bërë moralin të pavarur nga feja,
besonin se do të krijonin një njerëzim vërtetë të lirë e dinjitoz. Për Kardinalin
Bertone, feja duhet parë si burim i kuptimit të jetës. Jeta vetë tregon se krishtërimi
ka dhënë prova si element themelor i çlirimit të vlerave morale: “Në vizionin
e krishterë vlerat themelore vijnë nga Hyji, nga Ai që krijoi vetë njeriun e bashkësinë
njerëzore. Njeriun, krijuar sipas shembëlltyrës e ngjashmërisë me Hyjin dhe njerëzimin,
krijuar sipas shembëlltyrës së bashkimit të tri vetjeve, që është bashkimi trinitar.
Kjo nuk do të thotë se ata që nuk besojnë nuk mund t’i propozojnë e t’i jetojnë vlerat
themelore. Nuk ka asnjë dyshim. Por në se shkëputen nga Zoti, këto vlera e humbasin
gjithë forcën e tyre. Megjithatë Kisha dialogon me të gjithë, Kisha kërkon të ndërtojë,
së bashku me të gjithë, një botë të ngritur mbi themelet e drejtësisë e të solidaritetit”.
Por ky mesazh, që Kisha u drejton institucioneve, shpesh here keqkuptohet - tha
kardinali Bertone, e më pas shtoi: “Është problem komunikimi. Dëshirojmë
natyrisht ta forcojmë komunikimin e t’i vlerësojmë të gjitha mjetet e tij, kërkojmë
t’i shpjegojmë edhe arsyet e fesë e arsyet e kontributit që Kisha i jep shoqërisë
për të mirën e saj të përbashkët”.