2007-05-29 18:50:14

Sipas shtypit kroat, Rusia, SHBA-të dhe BE-ja kanë arritur një kompromis për Kosovën


(29.05.07 RV)Sipas një gazete kroate, Rusia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një kompromis për të ardhmen e Kosovës. E përditshmja “Jutarnji List” citon burime “pranë lidershipit rus”, sipas të cilave nëse Rusia do të pranojë planin e Ahtisarit, bashkësia ndërkombëtare do të vonojë dy vjet anëtarësimin e Prishtinës në OKB. Gjithashtu, ushtarët rusë do të jenë të pranishëm në enklavat serbe, si pjesë e forcës shumëkombëshe. Kushti i tretë është që NATO-ja, e cila pritet të ftojë Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë vitin e ardhshëm të bëhen anëtare të Paktit, të lerë mënjanë nga ana tjetër, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Gjithsesi, para mbledhjes së G8-ës më 6 qershor, kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica do të shkojë në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Putin.
 
Krerët shqiptarë të Kosovës vendosën sot që të martën të shpallet një garë publike për simbolet kombëtare dhe flamurin e Republikës së ardhshme. Deri të martën një ekip do të punojë mbi kriteret, që do të bëhen të njohura më pas. Sipas planit të Ahtisarit, Kosova duhet të ketë simbole të ndryshme nga ato të Shqipërisë, që të pasqyrojnë karakterin shumëetnik të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.