Ardhmëri paqësore për Republikën Qendroafrikane, të tronditur nga tensionet e konfliktet:
këtë u uroi Papa ipeshkvijve të vendit afrikan.
(29.05.2007 RV)Ipeshkvijtë e Republikës Qendroafrikane, vend i tronditur thellë
nga konfliktet politike e shoqërore, filluan që dje audiencat me Atin e Shenjtë me
rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’. Sollën me vete shqetësimet e trazirat që
vijojnë në ish-koloninë franceze që nga vitet e para të pavarësisë (1960), vite që
nisen me ardhjen në pushtet të mareshallit Boksana, shpallur mbret 10 vjet më vonë
e rrëzuar nga froni me rikthimin e republikës, që u pasua nga grushti i shtetit të
gjeneralit Kolingba e më pas, nga zgjedhjet e para të lira të 1993, fituar nga Patasè,
kryetar i Lëvizjes për çlirimin e popullit qendroafrikan. Por edhe kjo fitore u kundërshtua
me armë nga forcat ushtarake, duke nisur nga viti 1997 deri në vitin 2000, kur ndërhyri
OKB-ja e, me zgjedhjet e vitit 2005, u shpall president gjenerali Bozizè. Një situatë
e tillë rëndohet edhe më shumë për shkak të grupeve rebele, që strehohen në Çadin
fqinj e të ndjekësve të Patases, të shpërngulur në Togo. Në këto kushte e kryen misionin
e vet Kisha katolike qendroafrikane, me një histori më se njëqindvjeçare, gjatë së
cilës nuk ka pushuar së punuari për paqen e së dënuari dhunën, duke denoncuar edhe
heshtjen mediatike mbi dramën e këtij vendi që jeton në kushtet e ndeshjeve të vazhdueshme
fisnore, të anarkisë, të autoritarizmit politik, amullisë ekonomike, shkatërrimit
intelektual e zhvlerësimit të çdo vlere.