2007-05-28 17:27:07

Takimi i parë SHBA-Iran mbi Irakun


(28.05.07 RV)Pas 27 vjetësh akullnaje dipllomatike, SHBA-të dhe Irani ulen sërish në të njëjtën tryezë në Bagdad. Takimi u zhvillua ndërmjet ambasadorëve të të dyja vendeve dhe pati të bëjë kryesisht me sigurinë në Irak. Bisedimet u konsideruan si pozitive, pasi këndvështrimi i të dyja vendeve mbi Irakun nuk ndryshon shumë. Po çfarë e ka shtyrë Iranin të marrë pjesë në takimin e sotëm? Të dëgjojmë opinionin e Ahmad Rafat, gazetar iranian, ish-president i Shtypit të Jashtëm në Itali:
RealAudioMP3 Objektivi i Iranit është lehtësimi i largimit të amerikanëve nga rajoni, edhe sepse, në njëfarë kuptimi, Irani ndihet i rrethuar nga amerikanët. Ata janë të pranishëm në Pakistan, në Afganistan, në Irak dhe kanë baza detare në Bahrein, një komandë qendrore në Katar e një komandë tjetër në Kuvajt. Teherani ushtron presion për largimin e amerikanëve nga zona, në mënyrë që më pas të vendosë hegjemoninë e vet.
Sipas jush atëherë, cili është qëllimi i SHBA-ve?
Sipas meje, SHBA-të duan që Irani të ndihmojë qeverinë e Irakut për realizimin e të ashtuquajturit plan të paqes e të stabilitetit në Irak. Kryeministri irakian Al Maliki është shiit, pra shumë afër Iranit. Uashingtoni shpreson pra që ta bindë Iranin të ndihmojë, në mos amerikanët, së paku Al Malikin për të sjellë një minimum paqeje dhe stabiliteti në Irak. Gjithsesi, të dyja vendet nuk mund të gjejnë një bazë të përbashkët bisedimesh, derisa të zgjidhet problemi bërthamor.

 
Ndërkaq, në Irak, një shpërthim i ri ka shkatërruar një xhami sufite në qendër të Bagdadit, duke shkaktuar 22 të vdekur e rreth 30 të plagosur. Nga ana tjetër, amerikanët kujtojnë sot të rënët në ditën kushtuar atyre, në Ditën e Kujtesës apo Memorial Day. Gjatë këtij viti, në Irak kanë gjetur vdekjen 980 ushtarë, numër në rritje në krahasim me 807 të rënët e një viti më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.