(27.05.2007 RV)Sot, në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi solemnitetin
e Rrëshajëve, që u kremtua përsëri, në një botë dramatikisht të tronditur nga varfëria,
padrejtësitë, luftërat, Sida, ndotja e mjedisit, terrorizmi e tensionet e brëndshme,
që mbjellin lot e dëshprim në një mori vendesh të Planetit. Në një atmosferë të tillë
të trishtuar, të gjithë besimtarët e krishterë janë të thirrur t’i shtrijnë dorën
njëri-tjetrit, të luten e të bëjnë gjeste konkrete paqeje e mirësie. Vetëm të bashkuar
me njëri-tjetrin, në saje të veprës së heshtur e të vijueshme të Shpirtit Shenjt,
do të mund t’i sjellim botës ditë më të bukura.Të gjithë, pavarësisht nga seksi,
raca, mosha apo kushtet shoqërore, jemi të thirrur ta ndihmojmë të afërmin, duke dëshmuar
kështu fuqinë që ka Shpirti Shenjt për të endur hirin dhe dashurinë e Zotit për të
gjithë njerëzimin. Secili prej nesh është i thirrur ta mësojë artin endjes së dashurisë
e të mëshirës hyjnore, art që merr një kuptim të posaçëm në solemnitetin e sotëm të
Rrëshajëve. Natyra njerëzore është nën kërcënimin e lakmive të shfrenuara, të egoizmit
pa cak, të dëshprimit pa ngushëllim. Por Jezusi vijon t’i premtojë njerëzimit të tronditur
e të mbuluar me plagë, se ardhja e Shpirtit Shenjt do të na bashkojë njëri me tjetrin
e do të na bëjë të aftë ta dëshmojmë me jetën tonë, dashurinë e paqen e Krishtit.