2007-05-25 18:33:09

Prokurori italian antimafia: Shqipëria të dorëzojë kriminelët


(25.05.07 RV)Në përfundim të konferencës së Barit, me temë “Investimet dhe ligjshmëria në Shqipëri” u nënshkruan dy marrëveshje, njëra për bashkëpunimin në fushën policore e tjetra në fushën energjitike. U vunë në dukje hapat përpara që ka bërë Shqipëria në të gjitha fushat, por investuesit italianë u ankuan se mungon kuadri ligjor i sigurtë për investimet e tyre e se nganjëherë personat që nuk respektojnë ligjin mbeten pa u dënuar. Në veçanti, prokurori antimafia, Pietro Graso theksoi se “Shqipëria, përveçse është një vend prodhues i hashishit, gjendet edhe në qendër të rrugëve të heroinës që vjen nga Lindja e Mesme e nga Azia Juglindore dhe është bërë edhe një pikë nga ku shpërndahet kokaina që vjen nga Amerika Latine për në Turqi, Greqi dhe Evropë”. Graso kujtoi se në Itali rritet aktiviteti kriminal i shqiptarëve, të cilët kanë tashmë organizata të tipit mafioz, të kryesuara prej tyre dhe se shpesh, me transferimin në Shqipëri, shumë prej të akuzuarve për krime në Itali, i shpëtojnë ligjit. Shqiptarët që kanë kryer krime në Itali, por janë larguar për në Shqipëri arrijnë në 1500 vetë. Prej tyre, vetëm 200 janë kapur nga policia shqiptare. E nga këta të fundit, 70 kanë marrë dënime përfundimtare në Itali.







All the contents on this site are copyrighted ©.