Papa na fton t’i afrohemi festës së Rrëshajëve në bashkim me Virgjërën Mari.
(25.05.2007)Pas festës të të Shëlbuemit, Kisha pret solemnitetin e madh të
Rrëshajëve, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, më 27 maj. Të dielën e kaluar,
gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i ftoi besimtarët
të mblidhen në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të luten për ndikimin e Shpirtit
Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, të cilës i kërkoi që, me ndërmjetësinë
e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja. Po si mund të bashkohemi shpirtërisht
me Virgjërën Mari, në sa përgatitemi për këtë takim me Shpirtin Shenjt? Përgjigjet,
në mikrofonin e Radios sonë, imzot Angjelo Komastri, vikar i Papës për Qytet-Shtetin
e Vatikanit: “Më se një herë kam menduar se Apostujt, pas të ngjiturit të Krishtit
në qiell, për një çast do të jenë shastisur e ndoshta-ndoshta edhe do të jenë trembur.
Jezusi u pati thënë atyre: “Unë po ju dërgoj në mbarë botën. Shkoni e predikojani
Ungjillin të gjitha krijesave”. Unë mendoj se në të çast apostujt do të kenë pyetur
vetveten: “E si mund të shkojmë në gjithë botën, kështu siç është, e ta kumtojmë Ungjillin,
që duket krejt në kundërshtim me ç’mendon bota? Si mund të shkojmë e të themi: “Lum
të varfërit”, kur të gjithë s’kërkojnë tjetër, veçse të bëhen të pasur? Po si mund
të shkojmë e të themi: “Lum të butët”, kur të gjithë duan të sundojnë mbi të tjerët?
E si mund të shkojmë e t’i themi njerëzve “Lum ata që e kanë zemrën e pastërt”, kur
jemi të sigurtë se do të tallen me ne? Unë besoj se në atë çast do të ketë ndërhyrë
Zoja e Bekuar e do t’u ketë thënë Apostujve: “Pse keni frikë? E harruat atë që ju
tha Jezusi? Ju tha që para se të niseni, duhet të shkoni në Jeruzalem e të mos lëvizni
nga Jeruzalemi, para se të përmbushet premtimi; premtimi që ju bëri: “Do të jeni përplot
me Shpirtin Shenjt”.Atëherë ata u mblodhën në lutje e Shën Luka ungjilltar në ‘Veprat
e Apostujve’ tregon: “ Ishin një zemre e një zëri me Marinë”. Kjo është fotografia
e Kishës. Ishin një zemre: atëherë krenaria ishte zbehur, për t’ia lë vendin lutjes.
E ishin së bashku me Marinë, gruan që të edukon në fe: e erdhën Rrëshajët. Mund të
themi, pra, se Rrëshajët janë parakusht i apostullimit. Kisha duhet të shkojë si misionare
në botë; e ka për detyrë të shkojë, ashtu si e ka për detyrë të ndalohet në Jeruzalem:
“Prisni – pati thënë Jezusi: Prisni, derisa të përmbushet premtimi”: këtë u kujtoi
Zoja e Bekuar Apostujve. Duhet të hyjmë vazhdimisht në Çenakull e të dalim prej andej
vetëm atëherë, kur të mbushemi përplot me Shpirtin Shenjt. Në se nuk do ta kemi forcën
e Shpirtit Shenjt, s’jemi tjetër, veçse përsëritës të Ungjillit, por jo dëshmitarë
të Ungjillit.