2007-05-25 18:31:05

Italia shprehet qartë për pavarësinë e Kosovës


(25.05.07 RV)Serbia nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e saj kundër çdo lloj perspektive për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Deklaratat u bënë dje si nga kryeministri konservator, Vojisllav Koshtunica ashtu edhe nga liberali “euroentuziast”, ministri i ri i jashtëm, Vuk Jeremiç. Koshtunica përsëriti se “nuk ekziston ndonjë treg mbi Kosovën” dhe se humbja e saj nuk do të kompensohej as nga integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian. Jeremiç denoncoi se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte, sipas tij, rasti i parë i ndarjes së territorit të një shteti sovran në historinë moderne, pa konsensusin e qeverisë demokratike të interesuar.

Po në këtë ditë, Italia shprehet qartë për pavarësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm dhe zv.kryeministri i saj, Masimo D’Alema deklaroi dje në një konferencë në Bari se së shpejti Kosovës do t’i njihet statusi i pavarësisë dhe se Serbia duhet ta pranojë këtë realitet.
D’Alema foli para politikanëve italianë dhe një pjese të mirë të ministrave të Shqipërisë, me në krye kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli, të mbledhur për një seminar organizuar nga Rajoni i Puljes, me temë: “Investimet dhe ligjshmëria në Shqipëri”. Duke pranuar planin e Ahtisarit, Serbia s’do të bënte tjetër, veçse do të njihte përpjekjen e Bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë një zgjidhje të përshtatshme situatës në zonë. Serbia do të mbetet një vend i rëndësishëm në Ballkan, vazhdoi D’Alema, dhe Italia do të bëjë ç’është e mundur të rifillojnë negociatat për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit ndërmjet Beogradit dhe Brukselit.
Më 30 maj, në Postdam do të mblidhen ministrat e jashtëm të G-8. Do të jetë rasti për të folur më qartë mbi planin mbi Kosovën e për të përballuar problemet me Rusinë përsa i përket statusit të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.