2007-05-24 17:05:40

Vonesa të rënda në informimin e popullsive për parandalimin e Sidës e pabarazi edhe më të rënda në mjekimin e saj: i denoncon imzot Miliore në Selinë e OKB-së.


(24.05.2007)Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, Imzot Çelestino Miliore, foli në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në takimin kushtuar objektivit për të siguruar brënda vitit 2010 vënien në jetë të programeve për parandalimin dhe mjekimin e Sidës. Prelati kërkoi më shumë informacion për parandalimin e infektimit nga sëmundja, më shumë burime për mjekimin e saj e më shumë bashkëpunim ndërmjet vendeve të ndryshme të botës, për t’ia prerë rrugën e përhapjes, sëmundjes së tmerrshme.
E vëzhguesi i Selisë së Shenjtë pranë Pallatit të Qelqit foli edhe me shifra, duke kujtuar se sfida më e madhe sot është asistenca e 39 milionë e gjysëm të sëmurëve me Sidë e se çdo vit nga sëmundja vdesin rreth 2 milion e 900 mijë vetë, posaçërisht të rinj, sepse janë pikërisht të rinjtë që përbëjnë 40% të rasteve.
Por në se numrat flasin vetë – theksoi prelati – nuk mund të themi se përfshijnë gjithë realitetin. Mjafton të kujtojmë se në çdo 7 milionë e 100 mijë të sëmurë, vetëm dy milionë marrin mjekimet e duhura. E kjo duhet ta shqetësojë seriozisht bashkësinë ndërkombëtare. Në vijim përfaqësuesi i Vatikanit, duke ripohuar impenjimin e Selisë së Shenjtë, kërkoi që të gjithë t’i shumfishojnë përpjekjet në luftë kundër sëmundjes, përmes një rrjeti global të përbërë nga 1. 600 spitale, 6 mijë klinika e 12 mijë nisma të natyrës bamirëse e shoqërore ndër vendet në rrugë zhvillimi. Në përfundim prelati i nxiti të gjitha shtetet të japin shifra të sakta, ndonëse kjo nuk është aspak e lehtë. Por pa këto shifra nuk mund të monitorohet e as të vlerësohet situata në nivel global. Kujtojmë se në Ditën botërore 2007 kundër Sidës, mjetet shqiptare të komunikimit, të shqetësuara për fenomenin, krejtësisht të panjohur më parë, shënojnë se në Shqipëri numrohen 40 të sëmurë me Sidë e 116 të infektuar, ndërmjet të cilëve, 5 fëmijë, ndërsa numri i të vdekurve nga sëmundja është 40. Për parandalimin e sëmundjes – shkruhet - që në vitin 2004 është përfshirë në buxhet fondi prej 150 mijë USD, mbetur pezull prej vitesh në Ministrinë e Shëndetësisë. Pastaj nuk mund të harrojmë pyetjen: Sa të sëmurë nga Sida numrohen realisht në një vend si Shqipëria, ku të prekurit vijojnë ta fshehin e ta mjekojnë sëmundjen ngjitëse, pa kërkuar drejtpëdrejtë ndihmën mjekësore?







All the contents on this site are copyrighted ©.