2007-05-24 17:06:49

Sot Kisha katolike përkujtoi Zojën Ndihmëtare.


(24.05.2007 RV)Kjo e kremte nis të përkujtohet që në kohën e Papës Piu V, në shenjë mirënjohjeje për fitoren e madhe të flotës të koalicionit të botës së krishterë kundër flotës turke më 7 tetor 1571. Në sa flota turke shpartallohej, duke u mënjanuar kështu rreziku i tmerrshëm i shtrirjes së pushtimit otoman mbi vise të tjera të krishtera, Papa pa në vegim se fitorja ishte siguruar me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Prandaj urdhëroi që ndër litani të shtohej edhe thirrja : “Mari, ndihma e të krishterëve, lutu për ne!”. Prej këndej, edhe titulli “Zoja ndihmëtare”.
Një fitore tjetër e madhe, ajo e Vjenës, në vitin 1683, bëri që devocioni i Zojës nën këtë titull, të përhapej në Austri, në Gjermani e në Itali. Piu VII e caktoi festën e Zojës Ndihmëtare më 24 maj.
Për nder të Zojës Ndihmëtare, krishterimi ndërtoi tempuj madhështorë në vise të ndryshme, ndërmjet të cilëve dallohen katedralja e Spoletos edhe e Torinos në Itali, pa harruar se edhe Katedralja e Prizrenit i kushtohet pikërisht Zojës Ndihmëtare. Prizreni sot ishte në festë!Shenjti që pati më shumë devocion në Zojën Ndihmëtare , qe Shën Gjon Bosko, i cili u bë apostull i Saj, së bashku me bijtë e bijat e veta, salezianët e salezianet, që për këtë arsye quhen Bijtë e Zojës Ndihmëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.