2007-05-24 17:05:30

Janë shitur 1 ½ milioni kopje nga libri “Jezusi i Nazaretit” i Benediktit XVI. Sot libri u paraqit në Athinë.


(24.05.2007 RV)RealAudioMP3 Janë shitur më se një milion e gjysëm kopje të Librit “Jezusi i Nazaretit”, shkruar nga Papa Benedikti XVI. Njoftimin e jep shtëpia botuese Ricoli, që e ka botuar librin në Itali dhe e ndjek botimin e tij në mbarë botën. Të dhënat flasin për botimin italian, gjerman, slloven, grek, polak, amerikan e anglez. Ndërkaq vijon paraqitja zyrtare e vëllimit. Dje libri u paraqit në Francë, e pikërisht në Selinë e UNESCO-s në Paris, nga kardinali Karlo Maria Martini.
Sot është radha e Greqisë, ku librit të Benediktit XVI i shtohet një pasthënie, e nënshkruar nga Patriku Ekumenik i Kostantinopojës, Bartolomeu I i cili, duke kujtuar figurën e Krishtit, ndërmjet tjerash, shkruan: “Njohuritë akademike nuk mjaftojnë, por janë të nevojshme. Ndjenja nuk është elementi mbizotërues, por është shumë e nevojshme… Siç thonë në mënyrë përshkruese Etërit Mistikë, duhet që arsyeja të hyjë në zemër”. Patriku uron edhe që libri i Papës të ndihmojë për thellimin e dialogut teologjik ndërmjet dy Kishave, me shpresën e kapërcimit të ndarjes shekullore, me qëllim që të dyja kishat dhe besimtarët e tyre të bashkohen jo vetëm në dashuri, por edhe në fe e në sakramente.
Sot, pra, libri i Benediktit XVI u paraqit në Athinë, në sallën e konferencave të Shoqërisë Arkeologjike: folën, ndërmjet tjerësh, nunci apostolik në Greqi, kryeipeshkvi Patrik Kovenei; kryeipeshkvi i Athinës, Nikolaos Foskolos; ipeshkvi i Korfuzit, Joanis Spiteris dhe profesor Evangjelos Theodoru i Universitetit të Athinës. Mbi vlerën e librit të Papës, të dëgjojmë kardinalin Martini:
 “Ky libër është një libër i ndryshëm nga shumë të tjerë, sepse i shkruar me metodën historike-kritike, por pa skepticizmat që nganjëherë lidhen me këtë metodë e cila, kur kthehet, siç është thënë, në metodë ‘imperialiste’, nuk u lejon metodave të tjera të bëjnë punën e tyre, duke hedhur shumë errësirë mbi jetën e Jezusit. Sipas disa ekzegjetëve, nuk dimë pothuajse asgjë mbi figurën e Krishtit. Ndërsa Papa mendon se ka një bazë historike të mjaftueshme për të përshkruar jetën e Jezusit. Niset prandaj nga kjo bazë, e pastaj nga besimi në Jezusin, për të zbuluar thesaret e pasuritë e mëdha të figurës së Krishtit, birit të Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.