2007-05-23 15:24:36

Refugjatët ikin nga Nahr al-Bared në Liban e lajme të tjera


(23.05.07 RV)Mijëra refugjatë vazhdojnë të largohen nga kampi palestinez i Nahr al-Bared në Liban. Armëpushimi i shpallur nga grupi islamik Fatah al-Islam vazhdon, pavarësisht nga luftimet sporadike. Deri tani, 10 mijë refugjatë janë në karvan për në kampe të tjera. Sipas gjasave, armëpushimi do të zgjasë 72 orë e Kryqi i Kuq parashikon valë të reja njerëzish në ikje nga zona. Gjatë tri ditë luftimesh, mes grupit simpatizant të Al Kaidës dhe ushtrisë qeveritare të Bejrutit kanë gjetur vdekjen 27 civilë, sëbashku me 32 ushtarë libanezë e 22 milicë palestinezë të Fatah al-Islamit.

SHBA-të po punojnë për një strategji të re në Irak, që përfshin objektiva politike dhe ushtarake, ndër të cilat edhe heqjen e personaliteteve sektare nga forcat e sigurisë dhe të qeverisë. Plani, që duhet të hartohet brenda 31 majit, vë në dukje sot gazeta “Uashington Post”, po përgatitet nga një grup i vogël kryesuar nga gjenerali Dejvid Petreus, komandat i operacioneve ushtarake në Irak e nga ambasadori amerikan në Bagdad, Rajan Kroker.
Ndërkaq, në vend, 15 vetë kanë vdekur e rreth 20 të tjerë janë plagosur në një atentat kamikaze në qytetin Mandalaj, në provincën e Dijalës.

Kryeministri i ri francez, Fransua Fijon ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse nuk do të fitojë në zgjedhjet legjislative të 10 e 17 qershorit në Francë. Ai ka vendosur kandidaturën në Sarth në rajonin e Luarasë.







All the contents on this site are copyrighted ©.