2007-05-23 15:20:14

Atentat në Ankara para zgjedhjeve të 22 korrikut


(23.05.07 RV)Turqia përfshihet pa pritur në akte terroriste. Atentati i djeshëm në Ankara është pasuar nga indinjata botërore e nga deklaratat e solidaritetit të Bashkimit Evropian e të NATO-s.
Në zemër të qytetit, në një qendër tregtare, shpërtheu mbrëmë një bombë me dinamit, e cila ka shkaktuar 6 të vdekur dhe rreth 100 të plagosur. Atentati nuk është marrë përsipër akoma, por eksplozivi i përdorur i bën hetuesit të dyshojnë në guerrilasit kurdë të Partisë së Punës së Kurdistanit, dikur e udhëhequr nga i mirënjohuri Oshalan. Janë arrestuar 8 vetë.
“Jemi pranë familjeve të viktimave, pranë të plagosurve, lutemi për ta, por edhe për krejt Turqinë, që të mbetet e bashkuar para këtyre sulmeve, sidomos tani që do të zhvillohen zgjedhjet politike më 22 korrik”. Kështu foli sot për agjensinë katolike italiane Sir, zëdhënësi i ipeshkvijve turq, mons. Xhorxh Maroviç.

Turqia po bllokon planet për të rritur bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe misionit të ardhshëm evropian policor në Kosovë, si protestë për trajtimin që i bën Bashkimi Evropian.
Ankaraja kërkon që Brukseli të punojë me Qipron, e cila ka vendosur veton kundër anëtarësimit të Turqisë në Agjensinë evropiane të Mbrojtjes. Gjithashtu, dëshiron që opinioni i saj për çështjet e sigurisë të merret më tepër parasysh.







All the contents on this site are copyrighted ©.